Ibra i shënon Danimarkës, gjithçka vendoset pas tri ditësh në “Parken”
Friends Arena në Solna të Suedisë i ka sjellë golin e parë Zlatan Ibrahimovicit në karrierë ndaj Danimarkës...

Ky gol ka dalë të jetë vendimtar në fitoren e Suedisë në përballjen e parë të duelit të Play-Offit ndërmjet skuadrave që kërkojnë një biletë për EURO 2016.
Raste të mëdha nga të dyja palët dhe ndeshje e hapur, e bukur si për ata që e shikuan në stadium, por edhe nga ekranet.
Lojë e bukur dhe gola mjaftueshëm sa për të lënë gjithçka pezull për t’u vendosur në Parken të Kopenhagës për biletën drejt Francës 2016.
Zëvendësimi i Morten Olsenit ka dalë të jetë tepër i suksesshëm, pasi që Nicolai Jorgensen ka shënuar golin e Danimarkës në minutën e 80-të të takimit për të heshtur festën e hershme suedeze.
Suedia avancoi përmes Emil Forsbergut, derisa shtoi epërsinë me golin e Ibrës në 2-0, para se Jorgensen të harrohej nga mbrojtja suedeze për të zbutur në 2-1.
Më 17 nëntor, definitivisht do të dihet se cila nga këto vende Skandinave do të jetë me biletë për në EURO 2016 e cila do ta shikojë nga televizioni Europianin në Francë.
Në ndeshjen tjetër të “play-off”-it të zhvilluar ditën e shtunë, Ukraina mposhti 2-0 Slloveninë, duke hedhur një hap thuajse të sigurt drejt pjesëmarrjes në Europianin e vitit të ardhshëm, ku merr pjesë edhe Shqipëria për herë të parë në histori, pasi zhvendosi pikërisht Danimarkën për ndeshjet shtesë.
