Botë

Asociacioni i komunave Serbe, Thaçi: Nënshkrimet e opozitës u falsifikuan

15.11.2015 18:33

Shefi i diplomacisë së Kosovës Hashim Thaçi ka ka deklaruar në rast se opozita e procedon peticionin në Kuvend kundër Asociacionit të komunave serbe...

Shefi i diplomacisë së Kosovës Hashim Thaçi ka ka deklaruar në rast se opozita e procedon peticionin në Kuvend kundër Asociacionit të komunave serbe, atëherë do të kërkojnë verifikimin e të gjithë nënshkrimeve.
 
Këtë veprim, ai thotë se duhet ta bëjnë meqë dyshon se ato nënshkrime mund të jenë të falsifikuara, ku një person ka mundur të nënshkruaj deri në 600 herë.
 
Partitë opozitare për 38 ditë kanë mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime për të kundërshtuar këto marrëveshje të cilat Kosova i ka pranuar në raport me Serbinë për asociacionin e komunave serbe, dhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
 
“Edhe ata e dinë dhe kanë deklaruar se ato nënshkrime i kanë mbledhur dhe nënshkruar nëpër zyret e tyre dhe nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Pra, mund të jetë që një njeri ka nënshkruar deri në 500 apo 600 herë aty. Dhe për ato nënshkrime të falsifikuara njerëzit mund të ballafaqohen me drejtësinë”, u shpreh Hashim Thaçi, Ministër i Jashtëm.
 
Nga ana tjetër, deputeti I i Vetëvendosjes.tha se opozita është e gatshme që të verifikohen të gjithë nënshkrimet e qytetarëve në peticionin kundër Asociacionit dhe Demarkacionit, sepse janë të bindur se nuk ka falsifikime.
 
“Legjitimiteti i peticionit janë numrat e letërnjoftimeve, nënshkrimet dhe vet njerëzit që ndodhen në atë peticion. Kurdo le të krijojnë çfarëdo komisioni të verifikimit të emrave aty dhe do të vijnë në përfundimin se ishin mbi 200 mijë qytetarë që janë kundër krijimit të bashkësisë së komunave serb”, tha Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes.
 
Edhe Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se është e turpshme që të nënvlerësohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, me qëllimin e vetëm që Qeveria të mbrojë “Zajednicën”, në vend se të respektoj vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në këtë rast të konfirmuar edhe përmes sjelljes së 200 mijë nënshkrimeve.
 
“Ne shumë shpejt do të thërrasim të gjithë ata qytetarë që e kanë nënshkruar këtë peticion që të vijnë dhe të mbrojnë nënshkrimin e tyre edhe përmes prezencës fizike në Prishtinë. Sepse kjo Qeveri e manipuluar dhe kjo Qeveri e papërgjegjshme shkon aq larg sa që konteston edhe vullnetin e qytetarëve në kundërshtim të nënshkrimeve për dy marrëveshjet, Zajednicën dhe Demarkacionin”, tha Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.
 
Opozita, jo vetëm me peticion, por edhe përmes bllokimit të punës së Kuvendit, aksioneve ku po gjuhen ministrat dhe zëvendësministrat me vezë dhe debateve të ashpra, po vazhdon ta kundërshtoj marrëveshjen për Asociacionin dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi.
 
REJHANE BUSHI-METAJ