Botë

Sulmet në Francë dhe kriza e emigrantëve, BE nuk ndryshon politikën për refugjatët

16.11.2015 12:07

Jo të gjithë klandestinët që hyjnë në Evropë janë terroristë dhe Bashkimi Evropian nuk do të ndryshojë politikat e tij për refugjatët...

Kështu ka deklaruar presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, pas zbulimit se dy prej terroristëve që kryen sulmet në Paris kishin hyrë në Evropë si emigrantë.
 
“Ne nuk duhet të përziejmë kategoritë e ndryshme të njerëzve që vijnë në Evropë. Ai që kreu sulmet në Paris nuk është një azilkërkues, refugjat apo klandestin, ai është thjesht një kriminel”- tha Junker, duke u bërë thirrje të gjithë atyre që po përpiqen të ndryshojnë agjendën evropiane të klandestinëve të bëhen seriozë dhe të mos bien në këto reagime të papëlqyeshme. 
 
Kurse kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se ka ardhur koha për veprim, pasi fjalët janë të pamjaftueshme. “Ne kemi shprehur solidaritetin tonë, por fjalët nuk mjaftojnë, duhen veprime.
 
Të gjithë vendosmërinë tonë kundër terrorizmit do ta shprehim edhe në Samitin e G20”- tha Tusk, duke shprehur domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë në luftën kundër “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak.