Futboll

Shqipëria sonte përball Gjeorgjisë

16.11.2015 14:26

Shqipëria do të luajë sonte miqësoren e 15-të nën drejtimin e De Biazit, në të cilat ka një bilanc pozitiv...

Ballafaqimi me Gjeorgjinë koinçidon njëherazi me ndeshjen e 33-të, që De Biazi u ka prirë kuqezinjve nga debutimi i 29 shkurtit në Tbilisi të Gjeorgjisë e deri më sot.

Kuqezinjtë i presin për herë të dytë radhazi gjeorgjianët në “Qemal Stafa”, aty ku do të luhet për herë të fundit, sepse ndërkombëtari ynë, që ka pritur sa e sa ndeshje të përfaqësueses, do të shembet në fillim të vitit të ardhshëm dhe në vend të tij do të ngrihet “Arena Kombëtare”.

Herën e fundit, këto dy kombëtare mes tyre janë takuar më 6 shkurt 2013, po në miqësore, ku kuqezinjtë e De Biazit janë mundur me rezultatin 2-1 në “Qemal Stafa”. Goli për tanët është shënuar nga Bogdani, në minutën e 25-të, ndërsa miqtë do të përmbysnin rezultatin, me anë të Vatsadze 41′ dhe Lobzhanidze 82′.

Nëse i referohemi historikut të përballjeve mes dy kombëtareve, konstaton se gjeorgjianët janë më superiorë. Nga 13 ndeshje të luajtura deri më tani, kuqezinjtë kanë 3 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje. Pra, sikurse duket qartë, “peshorja” anon nga kundërshtari.

Edhe nën drejtimin e De Biazit, Gjeorgjia na ka mundur dy herë, me të njëjtin rezultat, 2-1, në Tbilisi dhe në “Qemal Stafa”. Ky kundërshtar mbetet “macja e zezë” për Shqipërinë dhe trajnerin italian, 59-vjeçarin nga Sarmede.

E treta e vërteta për këtë të fundit do të jetë sonte, për t’u hakmarrë në njëfarë mënyre, nëse ia del të fitojë. Sa i përket golaverzahit të përplasjeve mes dy kombëtareve në fjalë, ai flet qartësisht në favor të gjeorgjianëve. Ata kanë shënuar 19 gola në portën tonë, përkundrejt 11 të tillëve, që kanë pësuar nga kuqezinjtë.

Sidoqoftë, aktualiteti i gjen Shqipërinë dhe Gjeorgjinë në qasje të ndryshme. De Biazi dhe të tijtë janë kualifikuar direkt, për herë të parë, në finalet e “Euro 2016”, ndërsa Gjeorgjia nuk e përmbushi dot këtë objektiv.

Në renditjen mujore të FIFA-s për nëntor 2015, Shqipëria mban vendin e 36-të, ndërsa Gjeorgjia vendin e 111-të. Pra, distanca është e konsiderueshme në këtë aspekt të gjërave. Sidoqoftë, do të jetë fusha e lojës, ajo që do t’i tregojë më mirë se asgjë tjetër mundësitë e të dyja skuadrave.