Maqedoni

Ekspertët për diskriminimin, qytetarët frikësohen të denoncojnë rastet

16.11.2015 14:49

Diskriminimi në baza të ndryshme ekziston në shoqërinë tonë, megjithëse njerëzit nuk ankohen në institucionet përkatëse...

Diskriminimi në baza të ndryshme ekziston në shoqërinë tonë, megjithëse njerëzit nuk ankohen në institucionet përkatëse, nga mosbesimi se nuk do të gjejnë zgjidhje.
 
Agim Nuhiu, anëtar i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, për emisionin “Zgjohu me ne” në TVM 2 thotë se kohët e fundit diskriminimi etnik është zëvendësuar nga diskriminimi i përkatësisë partiake, sidomos në sferën e punësimit. 
 
“Fusha më e madhe ku qytetarët pretendojnë se janë të diskriminuar është  puna dhe marrëdhëniet e punës. Çështja e bazës për diskriminim ka lëvizur nga baza që i referohet përkatësisë etnike, tek baza që i referohet përkatësisë politiko-partiake. Por, është vështirë të konstatohet nga parashtresa konkrete nëse ka apo jo diskriminim, sepse kjo nuk është punë e lehtë. Ne duhet të mbështetemi në fakte”- deklaroi anëtari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Agim Nuhiu.
 
Albert Hani nga Qendra për Menaxhimin e Konflikteve thonë se termat diskriminim, racizëm, tolerancë janë të nguluar që në fëmijëri në ndërgjegjen tonë, madje ne jemi të mësuar të heshtim në emër të tolerancës. 
 
“Prindi im më ka mësuar të jem i dëgjueshëm. Unë sot i mësoj fëmijët të jenë revolucionarë, i mësoj të komunikojnë për atë që do ta arrijnë, sepse ne na kanë mësuar të heshtim dhe të heshtësh nuk është kuptimi i vërtetë i tolerancës. Na bën problem sot, prandaj ne e kemi problem të ankohemi e të denoncojmë rastet në institucionet, sepse ne na kanë mësuar të heshtim”- theksoi Albert Hani nga Qendra për Menaxhimin e Konflikteve.
 
Ekspertët vlerësojnë se vetëdija qytetare për t’u ankuar ndaj diskriminimit të çfarëdolloji është ende e ulët,m për më tepër madje është vështirë të gjesh prova nëse një person diskriminohet vërtetë dhe kjo është arsyeja që ka shumë pak raste të denoncuara të diskriminimit.
 
Gjithsesi, edhe nëse qytetarët e kanë të vështirë apo frikësohen të ankohen për diskriminimin që ju bëhet, Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi e ka për detyrë që në të gjitha situatat kur ka indikacione për ndonjë akt me elemente diskriminuese, zyrtarisht të iniciojë procedurë ndaj këtyre rasteve.
 
AMIR DURAKU