AShAM, shënohet Dita Ndërkombëtare e Tolerancës
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, Akademia e Shkencave dhe Misioni i OSBE-së në Shkup organizuan një debat me temë "Multikulturalizmi dhe toleranca-emigrimet dhe sfidat e integrimit social"...

Kryetari i AShAM-it, Vllado Kambovski, tha se multikulturalizmi paraqet një dukuri të komplikuar, e cila kërkon përvetësime institucionale, sociologjike, politike etj.
Sipas tij, për fat të keq multikulturalizimi si koncept për grupe të caktuara konservative nuk është i pranueshëm, sepse e konsiderojnë si kërcënim për shoqërinë ku jetojnë.
“Nuk mohohet fakti që për këtë sfidë të madhe të shoqërisë bashkëkohore deri në ditën e sotme nuk është i pranuar model optimal, kështu që numri më të madh i shteteve ose i pranon të drejtat etnokulturore të pakicave ose nuk i pranon, duke shkuar deri në asimilimin e tërësishëm të tyre. Ai si koncept në botë është i atakuar edhe nga grupe të ndryshme konservative, të cilët konsiderojnë se shfaqja e grupeve të ndryshme nacionale dhe religjioze në mesin e tyre paraqet problem i cili ngrit tensione në shoqëri dhe pengon zhvillimin e saj si dhe kërcënon stabilitetin politik”- deklaroi kryetari i AShAM-it, Vllado Kambovski.
Ndërkohë, akademiku Luan Starova tha se në vendet e rajonit mbisundon koncepti etnik në raport me atë qytetar. Sipas tij, historia do të duhej në këtë rajon të krijonte popuj tolerantë.
“Historia e popujve gjatë shekujve mund të kuptohet si një mësim i përbashkët universal i tolerancës në kërkim të vëllazërisë universale dhe me ndjenjën e fatit të përbashkët planetarë. Ballkanasit shpresonin se mbi rrënojat e perandorive do të ngrihet e ardhmja e tyre e lumtur, se mbi dallimet gjithnjë e më të shumta do të kërkohet harmonia. Këta popuj që kishin vuajtur gjatë historisë së tyre do të duhej të ishin tolerantë”- theksoi akademiku Luan Starova.
Sipas përfaqësueses së OSBE-së, Marijane Berez, interaksioni dhe dialogu janë përgjigja më e mirë e të gjitha sfidave në të ardhmen.
“Është e nevojshme që të mbështetet dialogu midis kulturave të ndryshme, të parandalohet ndarja në kuadër të një vendi. Kjo do të thotë jo vetëm pranim pasiv i kulturave të ndryshme dhe nacionaliteteve që ekzistojnë në shoqëri, por të promovohet dialog dhe interaksion midis kulturave të ndryshme. E gjithë kjo do të bazohej në njohjen e të gjitha dallimeve midis kulturave dhe midis njerëzve”- u shpreh Marijane Berez nga OSBE.
Misioni i OSBE-së në Maqedoni në kuadër të angazhimeve të tij është përpjekur të ndihmojë në realizimin e të drejtave të bashkësive etnike duke u bazuar në Marrëveshjen e Ohrit, tha Berez.
Dita Ndërkombëtare e Tolerancës shënohet tradicionalisht për herë të katërt me radhë dhe është e vendosur me deklaratën e Kombeve të Bashkuara më 16 nëntor të vitit 1995 në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s. (Naim Ramadani, TVM2)
