Maqedoni
Shtyhet seanca për Komisionin Anketues, VMRO-DPMNE dhe PDSH nuk kanë propozuar anëtarë
16.11.2015 15:34
Komisioni Parlamentar për Çështjen e Zgjedhjeve dhe Emërimit prolongoi miratimin e propozim-vendimit...

Komisioni Parlamentar për Çështjen e Zgjedhjeve dhe Emërimit prolongoi miratimin e propozim-vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit anketues mbi përgjimet, sepse, siç sqaroi kryetari i këtij Komisioni, Zoran Ilijoski, deri te ai kanë dorëzuar propozimet me emrat e kandidatëve vetëm grupi parlamentar i BDI-së dhe i LSDM-së.
Ilioski tha se në momentin që do të arrijnë edhe propozimet e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe PDSh-së do të mbahet seancë parlamentare.
“Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime deri sa nuk merr propozim konkret nuk mund të sjellë vendim ligjor. Sa për informim të opinionit, janë dorëzuar propozimet me emrat e kandidatëve vetëm nga grupi parlamentar i BDI-së dhe i LSDM-së, e nuk ka arritur propozimi nga VMRO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja. Nuk mendojmë që të heqim dorë nga marrëveshja. Sapo të arrijnë propozimet, në të njëjtën ditë do të thërras një takim”- tha kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjen e Zgjedhjeve dhe Emërimit, Zoran Ilijoski.
Deputet i PRSD-së, Orce Pançev, vlerëson se Komisioni Anketues duhet të formohet për shkak se ajo u dakordua me Marrëveshjen e Przhinës dhe ka pëlqimin e katër partive.
“Është evidente se VMRO-DPMNE bën gjithçka që të shtyhet një orë, një ditë zgjidhja dhe zbatimi i Marrëveshjes së Przhinës”- tha deputeti i PRSD-së, Orce Pançev.
Deputeti i BDI-së thotë se kjo parti nuk është pjesë e asnjë skenari dhe nuk ka informacione për ndonjë skenar të mundshëm.
“BDI dhe grupi parlamentar i BDI-së gjithmonë është sjellë dhe vazhdon të sillet me përgjegjësi. Konformë Marrëveshjes së Përzhinës, si është bërë praktikë të quhet, ne sot dorëzuam propozimet tona për anëtar të Komisionit Anketues për skandalin e përgjimeve, sepse për këtë as që diskutohet, ngaqë nënshkrimi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahemtit, është veprim me pasoja politike dhe dua të njoftoj mbarë opinionit se BDI nuk është pjesë e asnjë skenari, e asnjë taktizimi, e asnjë vonese, e asnjë sinjali për krijime të tilla apo atilla aleancash të paralajmëruara dhe supozuara. Gjykojmë se pa nevojë vonohet implementimi i një detyrimi që buron nga një dokument i cili premtonte të nxjerrë vendin prej krize”- u shpreh deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
Komisioni Anketues është paraparë të ketë gjithsej 16 anëtarë, prej të cilëve 8 do të jenë të VMRO-DPMNE-së, 4 të LSDM-së, dy të BDI-së, një të PDSh-së dhe një i pavarur.
SANIJE KASAMI
