Botë

Sulmet në Paris–23 të arrestuar, kapet në Bruksel një nga organizatorët

16.11.2015 15:56

Është arrestuar gjatë një operacioni blic në një lagje të Molenbeek, në Bruksel, Salah Abdeslam, njeriu që konsiderohet si një nga organizatorët e sulmeve terroriste në Francë...

Ndërkohë, hetuesit kanë identifikuar dy atentatorë të tjerë, Ahmad al Mohammad dhe Samy Amimour.
 
Al Mohammad është emri në pasaportën siriane të gjetur në trupin e një prej atentatorëve edhe pse identiteti i tij ende nuk është verifikuar.
 
Ndërsa Amimour thuhet se është duke u përballur me akuza për terrorizëm në Francë. Atentatorët e tjerë janë nga e gjithë Evropa. 
 
Truri i atentateve rezulton belgu, Abdelhamid Abaaoud, në krye të një celule xhihadistësh të neutralizuar nga policia belge në Verviers janarin e kaluar. 
 
Abaaoud, i cili dyshohet përgjegjës edhe për atentatin ndaj një treni, po janarin e kaluar u arratis në Siri. 
 
Deri tani janë bërë rreth 160 kontrolle në të gjithë Francën, 23 persona janë arrestuar në polici dhe 104 të tjerë janë në arrest shtëpie.
 
Kontrolle ka pasur edhe në veri të vendit, afër kufirit me Belgjikën.
 
Në Lion janë arrestuar pesë persona, ku është gjetur dhe një arsenal i vërtetë armësh. 
 
Kryeministri francez, Manuel Valls, akuzon se sulmet e së premtes në Paris ishin planifikuar dhe organizuar nga Siria.
 
Madje, autoritetet dyshojnë se sulme të tjera terroriste po planifikoheshin në Francë dhe në vende të tjera evropiane.
 
Kryeministri Valls tha se, Franca po përballet më tepër me një “ushtri terroriste”, sesa me një “grup terrorist”.
 
Shefi i Qeverisë franceze nënvizoi se mbi 150 operacione blic janë kryer në zona të ndryshme të Francës.