Neziri dhe Mexhiti mbështetje projekteve të vitit 2016 të Çerdhes “Fidani”

16.11.2015 16:21

Viteve të kaluara, në objektet e Çerdhes “Fidani”, në Komunën e Çairit ka pasur investime kapitale, vlerëson drejtoresha e kësaj çerdhe, Rabije Loku...

Ajo në këtë kontest përmend renovimin e objekteve, punësimin e edukatoreve dhe përkëdhelëseve, si dhe vendimet e punës për të gjithë të punësuarit në këtë kopsht.

“Ka pasur investime kapitale, ku të gjitha objektet në Kopshtin “Fidani", që ka 5 objekte, ka pasur renovime të tërësishme, ku janë ndërruar dritaret e vjetra, kulmet, gjithashtu janë bërë renovime edhe brenda. Tani mund të themi se të gjithë të punësuarit në Kopshtin “Fidani” kanë vendime pune. Tani grupi i dytë prej 1 dhjetorit do marrin vendime pune, 14 të punësuar në Kopshtin ‘Fidani’”- tha drejtoresha e Çerdhes “Fidani”, Rabije Loklu. 

Loku këto prononcime i bëri gjatë vizitës që ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, i bënë Çerdhes “Fidani”, me ç’rast premtuan mbështetje edhe për projektet e kësaj çerdheje në vitin e ardhshëm.

“Ky kopsht i ka të gjitha kriteret dhe kushtet evropiane dhe ne jemi këtu si ekzekutiv që t’i japim përkrahjen kryetarit të komunës dhe drejtoreshës për atë që është në kuadër në ekzekutivit. Po ashtu, ne si pushtet ekzekutiv jemi të gatshëm për t’i ndihmuar çerdhes dhe drejtoreshës dhe ideve që janë si synim për vitin 2016” - theksoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

“Vetë fakti që numri është rritur nga 270 fëmijë në 800, kjo nënkupton se është rritur radikalisht edhe numri i të punësuarve. Nga 300 vendime, 100 janë të ndara vetëm për Komunën e Çairit, pra nga 85 komuna u sjell vendimi në qeveri që vendime, 300 vendime, të ndahen për çerdhet në nivel republikan dhe pikërisht 100 nga këto janë të parapara për Komunën e Çairit. Kjo është një ndihmë nga qeveria, por edhe një përmirësim i një gabimi nga e kaluara”- u shpreh kryetari i Komunës së ÇAIRIT, Izet Mexhiti.                

Po ashtu Mexhiti potencoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Bankën Botërore është arritur që të ketë investime kapitale nga dyshemeja deri te kulmi, përfshi edhe aplikimin e efikasitetit energjetik, me çka janë reduktuar harxhimet në mbi 40% në çerdhet e Çairit.

Njëherit Mexhiti theksoi se po shqyrtohet mundësia e aplikimit të sistemit të kamerave, që në çdo kohë prindërit të shohin trajtimin e fëmijëve të tyre në çerdhet e Çairit.

Ndërsa në Çair është hapur edhe debat për shqyrtimin e mundësisë së aplikimit të partneritetit publiko-privat në çerdhe. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)