MASh për 2 vite investon 12 milion euro për arsimin shqip

16.11.2015 16:56

Furnizimi i nxënësve me libra shkollorë, projektet e realizuara në arsim, themelimi i dy fakulteteve të reja në kuadër të UShT-së...

Furnizimi i nxënësve me libra shkollorë, projektet e realizuara në arsim, themelimi i dy fakulteteve të reja në kuadër të UShT-së, konvikti i ri i paraparë për studentët në Tetovë, avancimi i arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë ishin në fokus të bisedimeve në takimin e sotëm të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademit, me përfaqësues të tjerë shqiptarë të ekzekutivit dhe institucionit ligjvënës.

“I njoftova përfaqësuesit dhe anëtarët e delegacionit rreth risive që janë për këtë vit shkollor ose akademik, rreth përgatitjeve që bëhen për themelimin e dy fakulteteve të reja në kuadër të UShT, rreth avancimit të infrastrukturës e cila po avancon në UShT. Siç e dini këtë vit është ndërtuar edhe salla e sportit, vitin paraprak u lëshua në përdorim objekti për Universitetin e Tetovës dhe janë ndërtuar edhe disa objekte të tjera, kurse gjithashtu shumë shpejt ministria do të fillojë procedurën për ndërtimin e konviktit për studentet në Tetovë dhe objektin e fakultetit të mjekësisë”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Për vitin 2014-2015 në arsim janë investuar 21 milion euro, prej të cilave 12 milion euro për shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Ndërsa 32 për qind e mjeteve për vitin 2016  janë në plan të dedikohen për investime në UShT, u tha në takim.                                                                                                     

“Vetë fakti që dy vitet e kaluara, 2014 dhe 2015, janë investuar në aspekt të investimeve, rreth 21 milion euro në renovimin e 36 shkollave fillore, 10 shkolla të mesme dhe 12 salla sportive në shumë prej 12 milion euro në pjesën e komunitetit shqiptar dhe diku rreth 9 milion euro në pjesën e komunitetit maqedonas, që do të thotë se mbi 50 për qind e investimeve të cilat janë bërë dy vitet e fundit janë në pjesën e cila udhëhiqet nga kryetarë komunash shqiptarë”- u shpreh ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.  

“Në bazë të diskutimit të sotëm që patëm me ministrin, del që sfera e furnizimit me tekste mësimore është një nga problemet e theksuara të ministrisë, në të cilën nuk korrespondon legjislacioni me zbatimin praktik për faktin që ka pengesa në aspektin me monopolizimin e së drejtës së përpilimit të teksteve shkollore dhe me shpërndarjen e tyre bëhen gabime të theksuara, të cilat në praktikë rezulton me probleme në funksionimin praktik të procesit edukativo-arsimor”- theksoi deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.

Pas takimit, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i shoqëruar nga funksionarë tjerë nga radhët e BDI-së vizituan objektin e ri të shkollës së mesme në Saraj, i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit.

“Me këtë do të realizohet kërkesa e kamotshme e Komunës së Sarajit dhe e banorëve të saj për të pasur një shkollë të mesme në territorin e tyre. Investimi është i përbashkët me Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Sarajit, investimi nga MAShi-i është 500 mijë euro. Shumë shpejt ne do të hapim edhe procedurën për furnizimin me inventarin e nevojshëm për ta kompletuar të njëjtën shkollë deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.  

MASh-i gjithashtu rinovon edhe sallën sportive në fshatin Radushë me vlerë prej 90 mijë eurove, kurse në shkollën fillore në Saraj investohen 228 mijë euro. (Rexhep Qamili, TVM2)