Grupi punues: Çështja e mediave në duart e partive politike

16.11.2015 17:59

Çështja e mediave në duart e partive politike. Në klubin e deputetëve palët negociatore kanë debatuar mbi reklamimin qeveritar dhe servisin publik...

Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së janë shprehur pro përcaktimit të kritereve të qarta sa i përket reklamimit qeveritar në media. Ata kërkojnë që reklamat me interes publik në sferën e arsimit, sigurisë në trafik, shëndetësisë të jenë pjesë e fushatës reklamuese.

Partitë kanë debatuar edhe mbi metodologjinë e reklamimit qeveritar. Është shqyrtuar mundësia që reklamimi të përcaktohet sipas shikueshmërisë së mediumit. Palët në bisedime janë shprehur pro pavarësisë së servisit publik, që ky medium të jetë i balancuar në informim, por janë hapur dilemat sa i përket kontrollimit të politikave editoriale të mediave private.

Përfaqësues të VMRO-së dhe LSDM-së kanë shfaqur kundërshtime në jetëgjatësinë e vendimeve që do të merren për të rregulluar veprimtarinë mediatike. LSDM është shprehur  që fusha e mediave të rregullohet me zgjidhje të përkohshme, ndërkaq pas 24 prillit të gjejnë zgjidhje afatgjate. VMRO është deklaruar për marrjen e vendimeve afatgjate.

Çështja për të cilat janë pajtuar të katër partitë politike është vënia e standardeve edhe në punën e portaleve me ndërhyrjen në Ligjin për media. (Meral Ismaili, TVM2)