Kameron dhe Merkel: Liderët e G-20 të përkushtuar kundër terrorizmit
Liderët botërorë janë pajtuar për “hapa të rëndësishëm” për ndalimin e financimit për grupet terroriste pas sulmeve vdekjeprurëse në Paris, bën të ditur kryeministri i Britanisë, David Kameron...

Në deklaratën e tij të sotme, në margjina të Samitit G20 në Turqi, Kameron ka theksuar se liderët kanë shprehur përkushtim për “ta kundërshtuar ideologjinë ekstremiste dhe propagandën terroriste dhe për ta mbrojtur më mirë vetveten nga kërcënimi i luftëtarëve të jashtëm, duke e ndarë inteligjencën dhe duke i ndalur ata nga udhëtimet”.
Kameron është takuar edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të bashkohet në përpjekjet e tij për luftimin e terrorizmit. Ai tha se ndërmjet fuqive perëndimore dhe Rusisë mbetet një “hendek shumë i madh” lidhur me mënyrën e përfundimit të luftës në Siri, por ka pasur shenja të gatishmërisë për kompromis nga të gjitha palët.
Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se liderët e vendeve pjesëmarrëse janë pajtuar që sfida e terrorit nuk do të luftohet vetëm me mjete ushtarake.
Po ashtu liderët botërorë kanë shprehur përkushtim për të punuar më tepër në ndarjen e informacioneve të inteligjencës, ndaljen e fondeve për terroristët dhe forcimin e sigurisë së kufijve në Evropë.
