Botë

Abu Umar, 9 muaj në kërkim. Ja si i shpëtoi arrestimit në janar

16.11.2015 21:28

Abdelamid Abaaoud, i njohur edhe me emrin Abu Umar Al-Baljiki, që tashmë është identifikuar si truri i masakrave në Paris, 9 muaj më parë...

Abdelamid Abaaoud, i njohur edhe me emrin Abu Umar Al-Baljiki, që tashmë është identifikuar si truri i masakrave në Paris, 9 muaj më parë, pas dështimit të një sulmi në Bruksel, ka rrëfyer për revistën zyrtare të Shtetit Islamik, “Dabiq”, sesi arriti t’i shpëtonte policisë, edhe pse këta të fundit e ndaluan.
 
“Ne patëm një sërë vështirësish në rrugën tonë. Kaluam muaj të tërë duke u munduar të gjenim mënyra sesi të hynim në Europë dhe, me ndihmën e Allahut, ne arritëm të mbërrinim në Belgjikë. Ne ishim në gjendje të siguronim armë dhe të ngrinim një qendër të sigurtë për të planifikuar sulmet tona kundër kryqëzorëve”, - ka deklaruar ai në shkurt të 2015-s.
 
I pyetur lidhur me sulmin e policisë ndaj grupit të tyre dhe faktit, sesi ai arriti t’i shpëtonte policisë e të kthehej sërish në Siri, Abaaoud rrëfen:
 
“Allahu i verboi dhe unë arrita të largohem dhe t’u shpëtoj shumë agjencive inteligjente. Emri dhe fotot e mia ishin të publikuara në të gjitha mediat dhe, në këto kushte, unë nuk kisha mundësi të qëndroja më në tokën e tyre dhe të planifikoja sulme kundër tyre. Në këtë mënyrë arrita të largohesha i sigurt”, - mbyll rrëfimin e tij Abaaoud.
 
Shumë pikëpyetje janë lënë pas, mbi mënyrën sesi një nga personat e vëzhguar për shumë kohë arriti t’i shpëtonte arrestimit të policisë belge mbrëmjen e 15 janarit, e të udhëtonte më pas i qetë për në të ashtuquajturin Shtet Islamik./Top Channel