Botë

Niveli i sigurisë në Belgjikë u rrit në "shkallën e tretë"

17.11.2015 11:30

Këshilli Kombëtar i Sigurimit i Belgjikës mbrëmë vonë ka ngritur nivelin e kërcënimit të sigurisë në vend në "shkallën e tretë"...

Këshilli Kombëtar i Sigurimit i Belgjikës mbrëmë vonë ka ngritur nivelin e kërcënimit të sigurisë në vend në "shkallën e tretë", në bazë të vlerësimit të ri të Trupit Koordinues për Analiza të Kërcënimeve (OCAM).
 
Kjo, siç lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Brukseli do të thotë prani më të madhe të forcave të sigurisë në vend, me fokus të veçantë në objektet kyçe, siç janë ndërtesat e Qeverisë, Parlamenti, Ministria e Punëve të Brendshme si dhe institucionet e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
 
Niveli i ri i alarmit në Belgjikë, pason pasi në periudhën nga muaji shkurt deri në mars të këtij viti në vend u shpall "shkalla e katërt" e rrezikut, e cila tani do të thotë se kërcënimi i një sulmi terrorist në vend konsiderohet si "e mundshme".
 
Këshilli i Sigurimit Kombëtar u takua mbrëmë me nismën e kryeministrit Sharl Mishel për të marrë në konsideratë vlerësimet e OCAM-it.
 
Zëdhënësi i kryeministrit Mishel, shpjegoi se janë marrë "masa të përgjithshme të sigurisë", të cilat përfshijnë edhe sigurimin e shtuar të të Qeverisë belge, si dhe prani të shtuar të shërbimeve të sigurisë në të gjithë territorin, për të cilin autoritetet belge refuzuan të japin më shumë detaje.
 
Pas rritjes së nivelit të sigurisë, dje është anuluar edhe ndeshja miqësore e futbollit ndërmjet Belgjikës dhe Spanjës, e cila duhej të mbahet në stadiumin kombëtar "Mbreti Bouduen" dhe ku pritej të marrin pjesë rreth 50.000 persona.
 
Ministri i Punëve të Brendshme i Belgjikës, Jan Jambo vendimin e këtillë për rritjen e nivelit të sigurisë e quajti "më shumë se i justifikuar."
 
"Mbrëmë kemi pasur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe atje OCAM, në bazë të një analize të re prezantoi se ne duhet ta rrisim nivelin e kërcënimit në "shkallën e tretë" në vend. Është e qartë se kur bëni hetim për të arrestuar një nga të dyshuarit e sulmit terrorist në Paris, ajo shihet si rrezik dhe ka ndikim mbi nivelin e kërcënimit. Por unë mendoj se pas asaj që ndodhi në Paris disa ditë më parë, tani të gjithë ne duhet të jemi përgjegjës. Edhe pse unë nuk shoh një kërcënim të drejtpërdrejt dhe rrezik, megjithatë masat e sigurisë do të duhet të rriten kudo në vend", tha Jambon.
 
Hetimet e policisë belge pas Saleh Abdeslam, i dyshuar për pjesëmarrje në organizimin dhe kryerjen e sulmeve në Paris, vazhdon edhe sot në lagjen e Brukselit Molenbek Sen Zhan, pasi gjatë ditës së djeshme njësitë speciale të Ministrisë belge të Punëve të Brendshme nuk e gjetën në ndërtesën e banimit në lagjen e theksuar.