Opozita në Kosovë sërish bllokoi seancën, në sallën alternative u miratua buxheti
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me të vetmen pikë, miratimin e Projekt-ligjit për Buxhetin e vitit 2016...

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me të vetmen pikë, miratimin e Projekt-ligjit për Buxhetin e vitit 2016, është ndërprerë pa filluar punimet pasi që deputetët opozitarë nuk kanë lejuar zhvillimin e saj.
Ata fillimisht kanë provuar të mblidhen te foltorja e Kuvendit, ku janë penguar nga sigurimi, i cili me urdhër të Kryesisë së Kuvendit ishte futur sërish në sallën kuvendore. Më pas, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka hedhur një sprej në drejtim të sigurimit, që e detyroi kryetarin e Kuvendit të kërkoj pauzë. Po ashtu, është vërejtur sërish hedhja edhe e gazit lotsjellës në sallë.
Ndërkohë protestuesit jashtë Kuvendit kanë hedhur gurë e ngjyrë në drejtim të policisë dhe ndërtesës së Kuvendit.
Vërehen xhama të thyer në ndërtesën e Kuvendit. Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë përdorur gazin lotsjellës për shpërndarjen e një grupi të protestuesve.
Kuvendi i Kosovës është mbledhur sërish në një sallë alternative, ku nuk janë lejuar të futen deputetët e opozitës, për vazhdimin e seancës së ndërprerë, ku pikë e vetme e rendit të ditës është miratimi i Projektligjit për Buxhetin për vitin 2016.
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kërkojnë shfuqizimin e marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë që është arritur për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Por Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka cilësuar të papranueshme madje edhe akte kriminale sjelljet e deputetëve të opozitës brenda Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë pa praninë e opozitës në sallën alternative kuvendi i Kosovës me 71vota për miratoi buxhetin për vitin 2016.
