Francë, kërkime për atentatorin e 8-të, Cazeneuve: 6 sulme të shmangura në verë

17.11.2015 14:00

Vijon gjuetia për atë që mediatikisht njihet si atentatori i tetë i sulmeve në Paris, Salah Abdeslam, i konsideruar si shumë i rrezikshëm...

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, ka deklaruar se gjatë natës së fundit në të gjithë territorin francez janë kryer 128 kontrolle.

Të hënën, bastisjet nëpër Francë rezultuan me 23 arrestime dhe sekuestrimin e 31 armëve, si dhe një raketë-lëshues në Lion.

Cazeneuve tha se të paktën 115 mijë forca policore dhe ushtarake janë mobilizuar për të ofruar siguri nëpër Francë.

“6 atentate të këtij lloji u shmangën vetëm në sezonin e verës”- ka thënë Cazeneuve.

Agjencitë e inteligjencës janë të bindur se  hartuesi i bombave është Mohamed Amir, 27 vjeç, i ndaluar gjatë operacionit të forcave speciale në lagjen Molenbek të Brukselit dhe njëkohësisht pronar i automjetit tip “Golf”, i sekuestruar në rrugën “Dubois Thorn”, aktualisht në gjendje arresti.

Autoritetet serbe ndërkohë kanë arrestuar një shtetas me pasaportë siriane të ngjashme me atë të gjetur në trupin e një prej terroristëve të Parisit.

Dy nga shtatë personat e ndaluar në Belgjikë ditën e diel po mbahen nën akuzat e terrorizmit. Pesë të tjerët janë liruar, përfshirë mes tyre edhe vëllanë e dy sulmuesve të dyshuar. Ende nuk dihet vendndodhja e Salam  Abdeslamit, të dyshuarit në arrati.

Edhe  autoritetet gjermane kanë arrestuar një kërkues azili algjerian, për të cilin pohojnë se ka lidhje me ata që thanë në fillim të javës së kaluar se “bomba të reja do të shpërthejnë në Paris”. Shërbimet inteligjente franceze kanë identifikuar 10.500 njerëz, që jetojnë në Francë, si të radikalizuar.

Parlamenti francez pritet nesër të votojë për të zgjatur gjendjen e emergjencës shtetërore në deri tre muaj. (Gazmend Rexhepi, TVM2)