Kosovë, miratohet buxheti për vitin 2016, gaz lotsjellës brenda dhe jashtë kuvendit

17.11.2015 15:25

Deputetët e shumicës në Kuvendin e Kosovës miratuan buxhetin për vitin 2016, por jo në sallën e seancave plenare, por në sallën alternative, pasi opozita sërish hodhi gazit lotsjellës në sallë...

Në momentin kur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e hapi seancën, deputetë të opozitës u tubuan në foltore, ndërsa Albin Kurti nga Vetëvendosjes hodhi sprej ndaj sigurimit dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë fjalimit të tij theksoi se veprimet e opozitës janë një akt kriminal dhe, se sipas tij, nuk do të tolerohet një sjellje e tillë.

Ngjashëm u shpreh edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili veprimet e opozitës i quajti kriminale dhe të çmendura.

"U ballafaquam me një sulm jo vetëm kundër koalicionit qeverisës, por me veprime kriminale të çmendura që po dëmtojnë punën dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës"- theksoi Thaçi.

Por, opozita e cila nuk u lejua të merrte pjesë në sallën alternative, ku po diskutohej propozim-buxheti për vitin e ardhshëm, insiston në bllokimin e seancave deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshja për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë, gaz lotsjellës u hodh edhe para kuvendit, kësaj radhe nga policia, e cila shpërndau me forcë protestuesit të cilët hidhnin gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë dhe Kuvendit të Kosovës, me ç’rast u njoftua edhe për protestues dhe policë të lënduar. (Naim Ramadani, TVM2)