“Java e alfabetit”, promovohen 14 tituj të përkthyer në shqip

17.11.2015 15:37

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, theksoi se ky projekt do të vazhdojë edhe në të ardhmen....

Në kuadër të “Javës së alfabetit” dhe projektit “Përkthimi i 1000 teksteve mësimore profesionale e shkencore”, sot janë promovuar edhe katërmbëdhjetë tituj të rinj të librave universitare të përkthyera dhe publikuara në gjuhën shqipe nga fusha e  turizmit dhe logjistikës së biznesit, arteve vizuele, shkencave matematiko-natyrore, transportit dhe telekomunikimeve dhe shkencat mekanike dhe elektroteknike.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, theksoi se ky projekt do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Vazhdimësia e këtij projekti tani më është siguruar jo në këtë formë, por me të njëjtin qëllim. Çdo vit parashikohen të botohen nga 50 tituj të ri të librave universitare, të cilët përdoren në 10 universitet më të mira të ranguar sipas listës së Shangait. Në rend të parë do t’u mundësojnë studentëve në Maqedoni, në kontinuitet të jenë me të gjitha ngjarjet, të arriturat, rezultatet, hulumtimet, informacionet, praktikat, metodat, teknikat, format dhe ngjashëm, nga lëmitë në të cilat studiojnë”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

Nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore theksuan se përkthimi i librave me renome botërore është në dobi të nivelizimit të arsimit shqip me atë botëror, si dhe në dobi të frymës së Kongresit të Manastirit, që do të shënohet më 22 nëntor.

“Ne do të vazhdojmë edhe me aktivitet tjera që kanë të bëjnë edhe me themelimin e institutit, që është themeluar më 22 nëntor, ka të bëjë edhe me zhvillimet e Kongresit të Manastirit dhe është e vetmja festë shtetërore e shqiptarëve në Maqedoni. Botimi dhe përkthimi i këtyre librave do të ju shërbejë studentëve, shkencës, studiuesve të ndryshëm të cilët do të marrin njohuri se ku është shkenca në botë dhe do të reflektojë pastaj në rritjen dhe avancimin e shkencës”- theksoi drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.

Ministri Ademi tha se deri tani janë përkthyer gjithsej 919 tituj, dhe pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të promovohen edhe 81 tituj tjerë. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)