Qendra për Menaxhim me Kriza: Maqedonia të përforcojë kontrollin e refugjatëve
Maqedonia duhet të përforcojë kapacitetet e kontrollit të emigrantëve që hyjnë në vend dhe duhet të jetë më e kujdesshme me pranimin e tyre në vend, sepse në mesin e tyre gjithnjë e më shumë vërehet transit ilegal i emigrantëve që kalojnë ndërmjet Maqedonisë...

Drejtoresha e Qendrës për Menaxhim me Kriza, Suzana Saliu, është e mendimit se sulmet terroriste në Paris dhe mbyllja e kufijve në Evropë është alarm i mjaftueshëm për vendin, se duhet marrë masa urgjente për shtimin e kontrollit të refugjatëve që do të mundësojë hyrjen e tyre përmes një punkti.
“Tani janë të hapur të gjitha opsionet e shtetit që të përdoren mekanizma sa më të fortë për shtimin e kontrollit. Porosia e Parisit është se të gjithë ne duhet të jemi më syhapur, më kushient në politikat e sigurisë. Republika e Maqedonisë gjatë këtyre ditëve ka aktivizuar të gjitha mekanizmat e menaxhimit të krizave, siç është Komiteti Drejtues, Grupi për Vlerësim, Shtabi i Krizës, si dhe Këshilli i Sigurimit pranë presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe të gjitha këto mekanizma për menaxhim me kriza janë të mendimit se edhe Maqedonia duhet të përforcojë kontrollin kufitar për hyrjen e refugjatëve”- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Menaxhimin me Kriza, Suzana Saliu.
Në bazë të Marrëveshjes së Shengenit, Sllovenia dhe Austria informuan Serbinë se do t’i mbyllin kufijtë e tyre për pranimin e refugjatëve, ndërsa Kroacia akoma i shqyrton pozicionet e saj për një vendim të tillë.
Një ndër mënyrat e kontrollimit më të rreptë të refugjatëve në Maqedoni, të paralajmëruar nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, është vendosja e gardhit kufitar përgjatë kufirit me Greqinë. Aktivitetet për caktimin e vendit ku duhet vendosur ky gardh, i cili do të ngrihet në varësi të fluksit të refugjatëve në vend, veç më ka filluar.
Drejtoresha e QMK-së vlerëson se vendosja e gardhit kufitar në përdorim duhet të jetë metoda e fundit për t’u përballur me numrin e madh të refugjatëve.
“Është paralajmëruar se mund të ketë dhe vënie të telave, mirëpo kjo do të ishte mekanizmi i fundit që mund të përdorë Republika e Maqedonisë, sepse çdo vënie e telave është në kundërshtim të parimeve të humanizmit me politikat e të drejtave të njeriut, mirëpo Republika e Maqedonisë nuk guxon të mbështet te muri, do të thotë se nëse vihet në një pozicion që duhet t’i përdorë këto mekanizma, sidomos pas sulmit në Paris, pas tragjedisë që i ndodhi njerëzimit, atëherë shtetet vlerësojnë vetë se çfarë mekanizmash do të përdorin për shtimin e kontrollit”- theksoi drejtoresha e Qendrës për Menaxhimin me Kriza, Suzana Saliu.
Kapaciteti i pranimit të refugjatëve në kampet në Gjevgjeli dhe Tabanoc për momentin është rreth 2 mijë persona në 24 orë, ndërsa hyrja e refugjatëve gjatë këtyre orëve lëviz prej 3 deri më 4 mijë refugjatë, por për fat të mirë qëndrimi i tyre në të shumtën e rasteve është më pak se 24 orë. (Rexhep Qamili, TVM2)
