Maqedoni
Formohet Komisioni Anketues, 16 anëtarët do të shqyrtojnë skandalin e përgjimeve
17.11.2015 15:55
Me 81 vota pro, dy kundër dhe një të përmbajtur deputetët miratuan vendimin për formimin e Komisionit Anketues, i cili do të shqyrtojë skandalin e përgjimeve...

Komisioni Anketues do të ketë gjithsej 16 anëtarë, tetë do të jenë të VMRO-DPMNE-së, katër të LSDM-së, dy të BDI-së, një të PDSh-së dhe një deputet të pavarur.
Kryetar i Komisionit Anketues është Petre Shilegov dhe zëvendëskryetar Goran Misovski.
Pasi që kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Zoran Ilioski, shpjegoi vendimin, pasoi një diskutim i shkurtër në të cilin, për dallim nga kolegët e tij, deputeti, Pavle Trajanov, shprehu dyshimin se Komisioni do të mund të kryej detyrën siç duhet.
“Komisioni shumë vështirë do të grumbullojë prova dhe të dhëna përmes të cilave duhet të vijë deri te e vërteta. Unë nuk jam i sigurt se ka një mekanizëm për ta bërë këtë. Komisioni duhet të punojë publikisht, në mënyrë transparente, që qytetarët të vijnë deri te informacionet e sakta dhe konkluzioni personal në lidhje me përgjimet”- deklaroi kryetari i LDM-së, Pavle Trajanov.
Ndaj dyshimit të Trajanovit reagoi deputetja, Liljana Popovska, e cila është optimiste se Komisioni do të përfundojë punën siç duhet.
“Duhet të besojmë se Komisioni do të japë rezultat, sepse procesi bëhet institucional dhe procedural, dhe në këtë mënyrë do të ketë një zgjidhje të të gjitha çështjeve”- tha kryetarja e RDM-së, Liljana Popovska.
Ndërkohë, për deputetin e pavarur, Zulfi Adilin, është kontestuese mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit.
“Mbrëmë, për korrektësinë dhe zgjedhjen reale të anëtarëve do të kishte qenë më mire të thirreshin deputetet të cilët nuk kanë grupe parlamentare, të propozojnë emra për Komisionin. Dua të besoj se Komisioni do të bëjë punën, por më shumë besojnë se ai do të bëjë punën nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç u arrit edhe Marrëveshja e Przhinës”- theksoi deputeti i pavarur, Zulfi Adili.
Anëtarë të Komisionit do të jenë: Talat Xhaferi dhe Ejup Rustemi të BDI-së, Ernad Fejzulahu i PDSh-së, Antonio Milloshoski, Silvana Boneva, Kërsto Mukoski, Pavle Sazdov, Dimitar Stevananxhija, Liljana Zaturoska, Magdalena Manaskova dhe Vlladanka Aviroviq të VMRO-DPMNE-së, Tomisllav Tuntev dhe Vasko Kovaçevski të LSDM-së dhe Roza Topuzova-Karevska si deputete e pavarur. Komisioni Anketues formohet në pajtim me Marrëveshjen e Përzhinës, ndërsa deri në fund të janarit duhet të përgatisë raport.
SANIJE KASAMI
