Irlanda në festë, pret biletën për në “Francë 2016″

17.11.2015 16:44

Irlanda është skuadra e 22-të që siguron kualifikimin në finalet e “Euro 2016″...

Formacioni i Martin O’Neil, mposhti 2-0 Bosnje Hercegovinën në sfidën e dytë Play-Off të luajtur në Dublin, falë një dygolëshi Walters, dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-1 fiton të drejtën për të qenë pjesëmarrëse në turneun më të rëndësishëm sportiv që do të zhvillohet verën e ardhshme në Francë.

Minutat e para të ndeshjes ishin të ekuilibruara, por vendasit e cuan rrjedhën e lojës në favorin e tyre në minutën e 25-të pas një prekjeje të topit me dorë nga një mbrojtës boshanjak, që u konsiderua 11-metërsh nga gjyqtari holandez Kuipers.

Nga pika e bardhë ekzekutoi saktësisht Walters, që bëri të shpërthente entuziazmi në stadiumin e Dublinit. Kundërpërgjigjja e Bosnjë Hercegovinës ishte e menjëhershme, por goditja e Edin Dzekon përfundoi jashtë.

Në minutat e mbetura të pjesës së parë nuk pati ndryshim tjetër rezultati, ndërsa në fraksionin e dytë skuadra vendase u rreshtua mirë në prapavijë për të mbrojtur avantazhin që do t’i jepte kualifikimin.

Në të 60-ën Miralem Pjanic ishte i pafat teksa finalizimi i tij u bllokua në momentin e fundit, ndërsa 10 minuta më pas Irlanda realizoi golin e nokautit me të njëjtin autor Walters, që u gjend në vendin dhe kohën e duhur në zhvillimet e një goditjeje dënimi.

Përfaqëusesja ballkanase nuk gjeti forca për të reaguar në minutat e mbetura, me vendasit që festuan një kualifikim të merituar, ndërsa boshnjakëve nuk u mjaftoi cilësia e lojtarëve të tillë si Edin Dzeko apo Miralem Pjanic për të arritur një tjetër kualifikim në një event madhor pas “Brazil 2014″.