Interi beson te Manaj, nuk blen zëvendësues të Icardit

17.11.2015 16:46

Roberto Mancini beson te potenciali i Rey Manajt...

Trajneri i Interit e cilëson talentin shqiptar si zëvendësues të Mauro Icardit, për pjesën e mbetur të sezonit. Në javët e fundit rreth zikaltërve kanë qarkulluar shumë spekulime, për ndërhyrje në merkaton e janarit.

Objektivi ishte përforcimi i sulmit, me Icardin që pas titullit si golashënuesi më i mirë i Serisë A gjatë sezonit të kaluar, në këtë edicion ka realizuar vetëm tre gola. Nga Radamel Falcao që zhgënjeu te Chelsea, te franko-algjerianin e Valencias, Sofiane Feghouli apo talenti kroat i Dinamos së Zagrebit, Marko Pjaca.

Por, tashmë Mancini duket se e ka marrë një vendim. Në janar nuk do të blihet asnjë sulmues i ri: si alternativë e parë për rolin e qendërsulmuesit do të mbetet Rey Manaj. 18-vjeçari e bindi trajnerin pas paraqitjeve me Kombëtaren, në vëllazëroren me Kosovën dhe përballë Gjeorgjisë.

Goli në kohë rekord, i shënuar vetëm pas 12 sekondave në Prishtinë e rriti vlerësimin e Manajt, që stërvitet dhe luan me ekipin e parë të Interit. Tani Mancini synon ti japë edhe më tepër hapësira sulmuesit në Serinë A.

Te Interi, por mbi të gjitha nën urdhërat e De Biasit në radhët e kuqezinjve, talenti konfirmoi se ka cilësi të mëdha dhe se ndihet gati për të qenë protagonist.

Kjo bën që sulmi i Interit të mos ndryshojë edhe pas merkatos së dimrit, i përbërë nga Icardi, Jovetic, Palacio dhe Rey Manaj.