Gjeorgjia mbetet makthi i kombëtares shqiptare

17.11.2015 16:50

Me miqësoren e së hënës në “Qemal Stafa”, Gjeorgjia është shndërruar në kundërshtarin e dytë, me të cilin përfaqësuesja shqiptare është përballur më tepër...

Pas 18 sfidave historike me Rumaninë, kuqezinjtë numërojnë 14 duele ndaj gjeorgjianëve, aq sa edhe Gjermanisë, prej të cilave më tepër se gjysma me Gjermaninë perëndimore.

Në barazimim 2-2 që mbylli vitin 2015, Gjergjia u konfirmua makthin e Kombëtares. Një kundërshtar mjaft problematik për Shqipërinë, që prej një dekade nuk arrin të fitojë në ndeshjet direkte.

Kjo ishte miqësorja e pestë ndërmjet dy skuadrave prej vitit 2006 dhe e katërta e luajtur në Tiranë. Ky ishte barazimi i tretë në Qemal Stafa, ndërsa në sfidën e 6 Shkurtit 2013 Gjeorgjia kishte fituar 2-1. Suksesi i fundit i kuqezinjve ka qenë ai i 4 Qershorit 2005, ku Shqipëria fitoi 3-0 në shtëpi, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2006.

Në 14 përballje të luajtura në total, Kombëtarja numëron vetëm 3 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje ndaj Gjeorgjisë, me 13 gola të shënuar dhe 23 të pësuar.

Përveçse është skuadra e dytë me të cilën Shqipëria është përballur më së tepërmi në historinë e futbollit, Gjeorgjia është edhe ekipi i tretë që i ka shkaktuar më tepër humbje kuqezinjve.

Vendi i parë ndahet nga Gjermania dhe Rumania që e kanë mposhtur 13 herë përfaqësuesen tonë. Pas Gjeorgjisë që na ka shkaktuar 8 disfata, renditen Polonia e Bullgaria me 7, dhe Austria, Greqia e Danimarka me 6 fitore përballë Shqipërisë.