“Java e Alfabetit”, MASh nderon pishtarët e arsimit shqip
Ndër aktivitetet e shumta kushtuar Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Ministria e Arsimit ka paraparë edhe nderimin e figurave dhe personaliteteve shqiptare që lanë firmën e mendimit intelektual në Botën shqiptare...

Ministri Ademi vizitoi sot familjen e prof. dr. Remzi Nesimit, gjuhëtarit, pedagogut, studiuesit dhe njërit nga figurat kryesore të mendimit shkencor dhe intelektual të shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë.
Gjatë kësaj vizite, ministri Ademi prof.dr.Remzi Nesimin e nderoi me një mirënjohje simbolike me motivacion: “Për kontributin e çmuar në lëminë e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare”.
Prof.dr.Remzi Nesimi ishte pjesëmarrës-delegat në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë, të mbajtur më vitin 1972, ku mbajti edhe referatin: “Procesi i njësimit të shqipes letrare në Maqedoni”.
Është personalitet i shquar i botës intelektuale shqiptare, i cili ka dhënë kontribut të çmueshëm në shkencat filologjike, në fushën e dialektologjisë, duke promovuar me intelektualizëm të pashoq pasuritë shpirtërore e gjuhësore dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.
Prof.dr.Remzi është autor i disa librave shkencore dhe mbi 200 artikuj në revista shkencore e periodike. Jeton në Shkup, në një moshë të mbushur prej 80 viteve.
