Botë
Refugjatët sirianë, dhjetëra shtete amerikane kundër pranimit të tyre
17.11.2015 17:13
Shumë shtete amerikane kanë thënë se emigrantët sirianë nuk janë të mirëpritur për shkak të frikës e sigurisë pas sulmeve të Parisit...

Guvernatori i Miçiganit, Rick Snyder, ka thënë se është pezulluar pranimi i emigrantëve të rinj deri pas një shqyrtimi të ri.
Në Miçigan deri më tani janë pranuar 200 sirianë, ndërsa në Alabama nuk ka asnjë, por guvernatori i këtij shteti tha se nuk e ka ndërmend të rrezikojë jetët e njerëzve të tij duke pranuar refugjatë.
"Ne do t’i pezullojmë gjërat deri sa të arrijmë shans për bisedime nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare"- tha guvernatori i Miçiganit, Rick Snyder.
Alabama, Arizona, Arkansasi, Florida, Gjeorgjia, Ilionis, Indiana, Ajoa, Luiziana, Masaçusets, Miçigani, Misisipi, Nju Hampshire, Karolina e Veriut, Ohajo, Teksasi dhe Uiskonsin janë shtetet që ju kanë thënë “jo” refugjatëve.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka ngritur pikëpyetje nëse vendime të tilla janë të ligjshme.
Ndërsa, presidenti Obama ka thënë se Amerika duhet t’ju shtrijë dorën e ndihmës refugjatëve që vijnë nga vendet e luftës.
"Duke ju përplasur derën në fytyrë atyre që kanë nevojë për ndihmë, do të ishte një tradhti e vlerave tona. Ne mund t’i mirëpresim ata për t’iu siguruar një jetë më të mirë dhe do t’u garantojmë siguri qytetarëve tanë. Ne mund t’i bëjmë të dyja”- theksoi presidenti i ShBA-së, Barack Obama.
Vendimet e shteteve amerikane vijnë pas sulmeve në Paris, ku u vranë 129 persona, të premten në mbrëmje.
Miliona sirianë kanë ikur në vendet fqinje dhe në Evropë. ShBA-ja ka premtuar të marrë rreth 10.000 refugjatë sirianë në 12 muajt e ardhshëm.
BELINDA KOKA-ADEMI
