RTM, debatohet propozim-teksti për kodin etik
Etika dhe masat disiplinore të cilat janë të rregulluara me Ligjin për marrëdhënie pune duhet të ndahen njëra me tjetrën...

Këto ishin vërejtjet kryesore në debatin publik lidhur me propozim-tekstin për Kodin etik në servisin publik të RTM-së. Pjesëmarrësit në debat kërkuan më shumë transparencë dhe depolitizim të këshillit programor dhe stabilitet financiar.
“Krijohet përshtypja se në këtë kodeks ngatërrohet etika me disiplinën në punë në dy kategori të ndryshme. Do të jetë mirë kjo çështje të rregullohet ngjashëm me vendet e tjera, si për gazetarët po ashtu edhe për personelin kreativ, sepse do të hasni në problem gjatë zbatimit”- deklaroi Naser Selmani nga ShGM.
“Konsideroj se përmbajtja e tekstit të kodeksit duhet edhe një herë të përpunohet dhe të precizohet pjesa e cila u dedikohet gazetarëve, redaktorëve, kameramanëve, si dhe kodeksi për udhëheqësit e RTM-së. Përmbajtja duhet të sistematizohet sipas temave dhe të argumentohet”- tha Ivana Trajkova nga AMG.
“Kam një vërejtje serioze. Me nenin 35 lejohet anëtarësimi i gazetarëve në parti politike. Konsideroj se në mënyrë absolute duhet të ndalohet. Ai që dëshiron të merret me politikë ka mundësi jo të shmang, por të merret me politikë dhe ta lërë servisin publik ta kryej obligimin sipas ligjit”- theksoi Zoran Trajçevski nga AShAAV.
Debati ka për qëllim miratimin e një kodi etik, i cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara, thonë drejtuesit e RTM-së.
“Radio Televizioni i Maqedonisë ka shërbimet e saja serioze të cilat komunikojnë me Ej-Bi-U, prej ku ne në bazë ditore marrim strategji për zhvillim. Pra, të gjitha këto përgatitje ne i bëjmë në bazë të njohurive paraprake, por gjithsesi janë të mirëseardhura të gjitha vërejtjet të cilat do të arrijnë deri në ditën e miratimit”- tha drejtori i përgjithshëm i RTM-së, Marjan Cvetkovski.
Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i RTM-së, Harun Ibrahimi, theksoi se me miratimin e kodit etik nuk do të zgjidhen të gjitha problemet në RTM, duke shtuar se kemi nevojë për një kod etik, por mos prisni se do të ndodhë kushedi se çka.
Në debat përfaqësuesit e ShGM-së dhe Asociacionit Maqedonas të Gazetarëve gjithashtu shpalosën edhe vërejtjet e tyre lidhur me depolitizimin e këshillit programor, përzgjedhjen e udhëheqjes, si dhe aplikimin e masave sa i përket gjuhës së urrejtjes, ndërsa përkrahin sigurimin e buxhetit prej 1% për RTM-në nga buxheti i përgjithshëm i vendit.
Ndryshe, debatin nga afër e ndoqi edhe Piter Van Hojt, i dërguar i BE-së, si ndërmjetësues në dialogun politik që po zhvillohet në Maqedoni për tejkalim nga kriza politike. (Naim Ramadani, TVM2)
