Grupi punues, hapen dilemat mbi reklamimin qeveritar
Partitë politike kanë vazhduar sot bisedimet për çështjen e mediave, me fokus të veçantë për reklamimin qeveritar...

Është hapur dilema se reklamat me interes shoqëror duhet të emetohen vetëm në servisin publik apo edhe në mediat private. Partitë në pushtet kanë kërkuar që reklamat qeveritare të transmetohen edhe në media private.
Me këtë nuk është pajtuar as LSDM as PDSh. Gjithashtu në takim është folur edhe për servisin publik.
Burime partiake brenda BDI-së kanë kërkuar që TVM2 të jetë kanal më vete, që të emetojë program 24 orë në gjuhën shqipe, ndërkaq të ketë buxhet të posaçëm dhe udhëheqësi të veçantë. Sa u takon kërkesave të tjera, nga BDI thonë se janë në përputhje me qëndrimet e televizioneve private, të shtypit dhe portaleve që u prezantuan të premten e shkuar në debat.
Ndërmjetësi, Piter Vanhojt, nga hapja e çështjes së mediave midis tjerash ka theksuar rëndësinë e ndërprerjes së dhunës ndaj gazetarëve, ndërprerjen e reklamimit politik në media, si dhe ka kërkuar të bëhen ndryshime në Agjencinë e Mediave dhe në servisin publik. (Meral Ismaili, TVM2)
