Buxheti 2016, VMRO dhe LSDM me argumente pro dhe kundër

17.11.2015 18:03

Projektbuxheti për vitin 2016 ka përplasur deputetët e pushtetit dhe opozitës maqedonase edhe në ditën e dytë të debatit...

Përderisa pushteti mbron tezën se projektimi është real ndërsa buxheti zhvillimor, deputetët e opozitës thonë se projektimi i rritjes ekomomike për 4% është joreal ndërsa buxheti harxhues.

Deputetja e VMRO-së, Liljana e Kuzmanovska, numëroi disa nga projektet kapitale në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.   

“Gjatë vitit 2016 janë planifikuar 16 rrugë rajonale, me gjatësi prej 267 km, me vlerë prej 388 milionë euro. Këto janë projektet. Kjo është ajo që po bën qeveria në kontinuitet dhe kjo është planifikuar edhe për 2016-tën. Në pjesën e infrastrukturës hekurudhore do të bëhet rekonstruimi i 10 stacioneve hekurudhore”- deklaroi Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.

Mirëpo, Liljana Siljanoska nga LSDM u përpoq të tregojë anën tjetër të medaljes. Ajo numëroi zërat ku parashihet rritje për shërbime, transfere dhe propagandë qeveritare. 

“Si e llogarisni si zhvillim ekonomik atë që në këtë buxhet rriten zërat për të drejtë diskrecioni, për harxhime të qeverisë, p.sh. shërbime të kontraktuara rriten për 26 milionë euro; transferte të ndryshme, të rritura për 17,6 milionë euro; buxheti për qeveri rritet për 1.7 milionë euro ose për programe për ndërtim dhe rekonstruim të ndërtesave qeveritare dhe administrative, blerje automjetesh, propagandë ekonomike, parashihen gjithsej 60 milionë euro?!”- theksoi Liljana Siljanoska nga LSDM.

Me projektbuxhetin për vitin 2016 parashihen 25.578 milionë denarë investime kapitale, të cilat kanë rëndësi të posaçme në krijimin e politikave fiskale, në përmirësimin e performancave ekonomike dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)