Maqedoni

Panairi i librit “Tetova 2015”, marrin pjesë 40 shtëpi botuese

17.11.2015 18:04

Për të katërmbëdhjetën herë me radhë është hapur sot në Tetovë Panairi i librit “Tetova 2015”, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë

Për të katërmbëdhjetën herë me radhë është hapur sot në Tetovë Panairi i librit “Tetova 2015”, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në të cilin, me botimet e tyre, marrin pjesë rreth 40 shtëpi botuese nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
 
“Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore, pasqyrim i veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda territorit të Maqedonisë, por në të gjithë hapësirën shqiptare, Shqipëri, Kosovë Maqedoni e Mal të Zi. Panairi i librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore, që do ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të vitit 2015”- deklaroi kryetari i ShBSh-së, Qamil Rufati.
 
Meqë Panairi i librit organizohet në kuadër të manifestimit “Tetova feston nëntorin”, me prezencën e saj këtë manifestim kulturor e ka nderuar edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, zonja Teuta Arifi.
 
“Duke qenë se është një muaj refleksioni për të kaluarën tonë kombëtare, për vështirësitë që kemi kaluar të gjithë bashkë, për të arritur një emancipim të duhur kombëtar, mendoj se nuk ka gjë më memorizuese për të kujtuar atë, se sa libri. Ajo që ne e kemi vuajtur në të kaluarën ka qenë mungesa institucionale e përkrahjes së evenimenteve dhe aktiviteteve të kësaj natyre, prandaj edhe ne si komunë në fakt nuk është se kemi nxjerrë nga mendja ide edhe aq shumë të reja, sa që kemi vendosur që të përkrahim entuziazmin e gjithë atyre njerëzve të cilët për më se një dekadë mbajnë aktivitete vetëm me forcat e tyre, një i tillë është pikërisht edhe panairi i librit”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Në manifestimin e sotëm, për herë të parë në kuadër të Panairit të librit “Tetova 201 është ndarë edhe çmimi “Ramadan Sinani”, e që i është ndarë poetit kosovar, Lulzim Tafës.
 
Panairi i Librit “Tetova 2015” do të jetë i hapur për vizitorët për tre ditë radhazi, e në të do mund të gjenden botime nga super shitësit botërorë të librave deri tek ata fetar.
 
VISAR SADIKI