Maqedoni
Debat për Marrëveshjen e Ohrit, theksohet nevoja e decentralizimit fiskal
17.11.2015 18:32
Decentralizimi fiskal që komunat vetë të vendosin për politikat fiskale ishte një nga kërkesat e kryetarëve të komunave në tryezën e organizuar nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit...

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, tha se nevoja për krijimin e komunave të pavarura në aspektin financiar ka të bëjë me krijimin e politikave më të mira lokale.
“Kompetencat pa financa është rëndë që të menaxhohen dhe të implementohen deri në fund. Pra, theks i veçantë i është dhënë decentralizimit fiskal, ku biseduam rreth asaj se patjetër duhet të ketë një rritje të tatimeve kryesore, të TVSh-së dhe të tatimit personal, që në këtë mënyrë të krijohet një pavarësi e komunave, të kenë një burim financiar që është i përhershëm dhe është i shëndoshë, që krijon një komoditet më të mirë për politikat lokale”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Nga pushteti qendror është kërkuar që edhe investimet kapitale të centralizuara të decentralizohen dhe komunat vetë të vendosin se si do t’i harxhojnë bllok dotacionet në arsim dhe nëpër çerdhe.
Në debat u përfshinë komuna të shumta të vendit dhe sektori civil. Mungoi pjesëmarrja e përfaqësuesve të PDSh-së. Mungesa e tyre nga BDI u cilësua si qasje e gabuar.
Nga PDSh më parë kanë deklaruar se bojkotojnë tryezën pasi formati i saj nuk është në përputhje me metodologjinë që janë dakorduar me nënshkrimin e Marrëveshje së 2 qershorit.
MERAL ISMAILI
