Botë

Paris, në operacionin anti-terror dy të vrarë dhe pesë të arrestuar

18.11.2015 09:33

Policia anti-terror në Francë po zhvillon bastisje në një banesë të një lagjeje veriore të Parisit...

Policia anti-terror në Francë po zhvillon bastisje në një banesë të një lagjeje veriore të Parisit, në operacionin që është i ndërlidhur me sulmet terroriste të javës së kaluar.
 
Në lagjen “Sent Denis” sot herët në mëngjes janë dëgjuar të shtëna armësh dhe eksplodime.
 
Burime policore thanë se ideologu i dyshuar i sulmeve të javës së kaluar, Abdelhamid Abaaoud, është në fokus të bastisjes. Zyra e Prokurorisë në Paris tha se dy të dyshuar janë vrarë, përfshirë një femër, e cila e kishte aktivizuar jelekun vetëvrasës në trupin e saj, ndërsa pesë të tjerë janë arrestuar. Raportohet se tre policë janë plagosur. 
 
Militantët e “Shtetit Islamik” kanë thënë se e kanë ndërmarrë sulmin e 13 nëntorit në Paris, me ç’rast janë vrarë 129 persona dhe plagosur më se 350 të tjerë.
 
Autoritetet thanë se së paku tetë persona ishin direkt të involvuar në sulmet e 13 nëntorit, përfshirë edhe 6 persona që i aktivizuan jelekët vetëvrasës në trupin e tyre dhe njëri që u vra nga të shtënat me policinë. Zyrtarët thanë se në një video monitoruese shihet edhe sulmuesi i nëntë i mundshëm.