ISIS kërcënon Romën dhe Londrën: pas Eifelit radhën e ka Koloseu dhe Big Ben

18.11.2015 13:53

“Shteti Islamik” (ISIS) ka shpërndarë sot një video të titulluar “Mesazh popullsisë së kryqit”, ku kërcënon se do të godasë jo vetëm kullën Eiffel, por dhe Koloseun në Romë e Big Benin në Londër...

Video është shpërndarë nga eksponentët irakenë të ISIS-it, e cila e mban firmën e produksionit të medias “Al Battar Foundation”.

“Të krishterët na kanë shpallur luftë e gjaku i tyre nuk do të kursehet”- thuhet në video. Në imazhet që shoqërojnë videon tregohet rënia e avionit rus e masakra e Parisit, si dhe deklaratat e liderëve të botës: Barak Obama, Vladimir Putin e Fransua Hollande. I lexuar në gjuhën franceze, teksti i kësaj video mes tjerash thotë:

“Vërtet mendoni se ne jemi të trembur nga reagimi juaj ndaj sulmeve tona? Jo ne e presim atë me durim. Ju do të bëni të njëjtin budallallëk që bëri Bush kur shkatërroi ekonominë e vendit të tij, e të gjitha vendet e tjera u ngritën kundër për t’u çliruar nga dominimi i tij. Me ndihmën e Allahut ne presim ditën e premtuar të disfatës suaj, humbjen përfundimtare. Ne ju dhamë mundësinë e armëpushimit për të shpëtuar disa nga ju, por ju e refuzuat. Bashkoni trupat, dërgoni avionët, ngrini kryqet e hajdeni tek ne”.

Por, me gjithë kërcënimin e ISIS, Italia nuk do të ndërhyjë në Siri. Nga Brukseli ministrja italiane e Mbrojtës, Roberta Pinotti, ka deklaruar se lufta kundër ISIS-it nuk bëhet vetëm me instrumente ushtarake, por luan rol dhe propaganda, financimet dhe puna e inteligjencës. Mundësitë për të bashkëpunuar janë të shumta, ka shtuar Pinoti.

Ndërsa kryeministri italian, Matteo Renzi, është shprehur kundër idesë së mbylljes së kufijve të vendeve të BE.

“Nëse mbyll kufijtë do të thotë se e bën për t’i mbajtur terroristët brenda, pasi vrasësit në shumicën e rasteve janë lindur e rritur në Evropë. Kërcënimi nga ISIS vjen nga brenda”- tha ai. (Gazmend Rexhepi, TVM2)