Mbyllja e kufirit me Greqinë, Gruevski: Do të reagojmë sipas situatës

18.11.2015 14:16

Autoritetet shtetërore janë të shqetësuara me paralajmërimet e shteteve fqinje se do t’i mbyllin kufijtë e tyre për të ulur fluksin e refugjatëve....

Nëse një gjë e tillë ndodhë, ajo do të reflektohej padyshim edhe në Maqedoni. Kryeministri Gruevski pohon se mbyllja e kufirit është një nga opsionet që po shqyrtohet edhe nga Maqedonia, por ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Njoftimet se në kufirin me Greqinë po vërehen kamionë dhe punëtorë, Gruevski i arsyeton me punët që duhet të bëhen në kampet e pritjes para fillimit të stinës së dimrit.

“Ushtria ka marrë detyrë që të përgatisë terrenin. Pason periudha e dimrit dhe do të jetë shumë e vështirë në dhjetor dhe në janar, po qe se do të jetë e nevojshme të vendosen barriera të caktuara. Ndërkohë, ushtria do të bëjë përgatitjet e duhura dhe ashtu si do të shkojnë punët në Evropë, edhe ne do të reagojmë në mënyrën përkatëse. Tani për tani nuk do të ndërmerret masa e mbylljes së kufirit, por janë duke u bërë përgatitjet për këtë gjë, siç janë pastrimi i terrenit, gërmimi dhe nëse do të ketë nevojë do të vendosen edhe shtylla”- deklaroi Gruevski.