Botë

Paris, 7 persona në pranga, 2 të vdekur, policia në kërkim të ideatorit të sulmeve

18.11.2015 15:20

Forcat policore antiterroriste të Francës kanë bastisur një apartament në veri të Parisit, ku besohej se ishte fshehur organizatori i sulmeve terroriste të 13 nëntorit...

Pas operacionit, i cili filloi në orët e hershme të mëngjesit dhe zgjati gati 6 orë, zyrtarët raportuan se një i dyshuar është qëlluar për vdekje dhe një grua ka hedhur vetën në erë, duke përdorur jelek vetëvrasës. Shtatë persona të dyshuar janë arrestuar.

"Kuptova se kjo po ndodhte në shtëpinë time dhe njerëz fshiheshin në katin tim. Nuk e kam ditur se ata janë terroristë. Më kanë kërkuar t’i kryej shërbim dhe unë këtë e kam bërë, unë nuk di prej nga ishin ata dhe kush ishin”- tha banori, Jawad Ben Dow.

“U largova nga banesa e shokut tim dhe duke kaluar nëpër rrugë dëgjova të shtëna të cilat vinin nga dritarja”- tha një banor i ndërtesës.

“Unë jetoj në katin e dytë dhe gjithçka është zhvilluar një kat më lartë, në paralelen e njëjtë. Policia mbylli dyert dhe nuk na lejonte të dilnim jashtë, ndërsa banesa dridhej nga të shtënat dhe eksplozivët. Dëgjoheshin zërat e policisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër dëgjuam djemtë duke bërtitur: gjuaj, gjuaj…aty! Unë nuk i kam parë asnjëherë ata dhe nuk di se çka ndodhte aty”- theksoi një banore e ndërtesës.

Policia është në kërkim të Abdelhamid Abaaoudit, belg, 28 vjeç, i cili dyshohet se ka planifikuar të shtënat dhe bombardimet që kanë lënë 129 njerëz të vrarë dhe mbi 350 të plagosur gjatë sulmeve të ditës së premte në Paris. Ai besohej të ishte brenda apartamentit në periferinë e Saint-Denisit i fshehur së bashku me 5 persona të tjerë të armatosur rëndë.(Leunora Kaliqi, TVM2)