Përfundon debati për MO-në, në dhjetor SIMO prezanton raportin final
Decentralizimi, gjegjësisht bartja e kompetencave dhe administratës së komunave, është tema me të cilën edhe u përmbyll debati me 6 temat që dalin nga Marrëveshja e Ohrit...

Raporti final me rekomandime për të gjitha temat do të prezantohet në një konferencë ndërkombëtare, që do të organizojë Sekretariati për Implementimin e MO-së diku ka muaji dhjetor. Nga SIMO presin që raporti të pranohet pasi është debatuar me ekspertë të fushave të ndryshme.
“Është një raport cilësor që e kanë bërë grupet punuese. Është debatuar me ekspertë të ndryshëm, njerëz të shoqërive civile dhe si i tillë nuk ka se pse mos të ketë pajtueshmëri. Është një raport i të gjitha politikave të Marrëveshjes së Ohrit”- deklaroi sekretari shteteror, Ejup Alimi.
Për profesorin universitar, Rizvan Sulejmani, këto debate janë të rëndësishme, pasi që bëhet një analizë kualitative më e thellë dhe për këtë kërkohet një periudhë më e gjatë kohore që të mund të nxirret, siç thotë, ajo e dhënë empirike.
“Mendoj se 10 vjeçarja është një periudhë e mjaftueshme për një analizë të tillë, gjithsesi se ka sugjerime për mënyrën e financimit të komunave, grandeve e kështu me radhë dhe të gjitha këto janë ende në nivelin e ideve që jepen e që do të përpunohen më vonë. Besoj do të ketë sugjerime për çështje të caktuara që të mund të redefinohen, të gjinden modele veçanërisht në pjesën e vetë financimit, por edhe në disa çështje të ofrimit të shërbimeve sa më kualitative për qytetarët”- tha eksperti, Rizvan Sulejmani.
Ende nuk dihet nëse raporti final që do publikojë Sekretariati për Implementimin e MO-së do të hasë në rezistencë, pasi deri tani PDSh nuk ka marrë pjesë në asnjë nga temat e debatit, duke arsyetuar mospjesëmarrjen me faktin që MO duhet të kishte përfunduar në vitin 2004. (Sanije Kasami, TVM2)
