QMK: Përforcim urgjent i kontrollit të refugjatëve; Xhes Bejli: Sulmet në Paris, kërcënim për të gjithë
Sulmet në Paris rezultuan me mbylljen e kufijve në Francë dhe ngjalljen e frikës në të gjithë Evropën. Efekti domino i mbylljes së kufijve po i afrohet gjithnjë e më shumë Maqedonisë...

Nga Qendra për Menaxhim me Krizat thonë se siguria e vendit nuk është tërësisht e garantuar, andaj është i nevojshëm përforcim urgjent i kontrollit të refugjatëve që hyjnë në vend.
“Në momente kur në vendin tonë hyjnë rreth pesë mijë emigrantë, asnjëherë nuk mund të flitet për siguri të garantuar. Çdoherë ekziston mundësi për hyrje ilegale, ndoshta edhe me dokumente të falsifikuara dhe me infiltrim të njerëzve të ndryshëm. Do të thotë siguria e qytetarëve dhe institucioneve nuk është 100 për qind dhe për këtë arsye ne angazhohemi për përforcim të kontrollit gjatë hyrjen në Maqedoni. Tani ne si institucione do vlerësojmë se si do të mbrohemi dhe se si do t’i sigurojmë qytetarët tanë”- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Menaxhim me Kriza, Suzana Saliu.
Ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli, kërkon bashkëpunim më të madh mes vendeve për t’u përballur me kërcënimin terrorist që i kanoset mbarë Evropës.
“Kjo paraqet kërcënim për të gjithë ne. Andaj nevojitet koordinim, solidaritet dhe vendosmëri për t’u përballur me këto lloj sfidash. Unë e di se ne do të tejkalojmë të keqen dhe se fuqimisht do të luftojmë kundër terrorizmit. Ne nuk do të harrojmë të japim ngushëllime, mirëkuptim dhe mbështetje personave të cilët ikin nga e keqja. Kjo është sfida jonë dhe ne do të punojmë të përkushtuar në këtë drejtim”- theksoi ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
Në këtë periudhë përmes Maqedonisë kanë kaluar rreth 480 mijë refugjatë ose rreth 5 mijë refugjatë në bazë ditore. Ditëve të fundit situata është e qetë dhe kampet e refugjatëve janë pothuajse bosh dhe vazhdon përgatitja e tyre për periudhën dimërore. (Rexhep Qamili, TVM2)
