Tenis

“World Tour Finals”, Federer mposht Djokovic…

18.11.2015 16:31

Me një shërbim perfekt, sidomos në setin e fundit, 34-vjeçari Roxher Federer I shkaktoi humbjen e gjashtë dhe të fundit Djokovicit në vitin 2015...

Djokovic, që luajti një tenis shumë të dobët në setin e dytë, luftoi shumë në setin e parë, por në fund iu dorëzua 34-vjeçarit, që ka fituar 17 herë Grand Slam gjatë karrierës së tij.
 
Kjo ndeshje, që zgjati një orë e 17 minuta, ishte e 43-a mes dy tenistëve. Federer ka arritur 22 fitore, ndërsa 21 ndeshjet e tjetra i ka fituar Djokovic.
 
Djokovic, fitues i tre edicioneve të fundit të këtij turneu që zhvillohet në “O2 Arena” të Londrës, nuk kishte humbur asnjë nga 38 ndeshjet e fundit të luajtura në salla të mbyllura.
 
Për herë të fundit ai ishte mposhtur në vitin 2012. Në turneun “ATP World Tour Finals” ndeshen tetë tenistët më mirë të klasifikuar gjatë gjithë vitit.
 
Roger Federer fitoi të drejtën për të luajtur në gjysmëfinale, pasi mposhti Kei Nishikori dhe Djokovic në ndeshjet për grupin Stan Smith.
 
Ndërkohë, që të shmangë eliminimin, Djokovic duhet të fitojë ndaj Tomas Berdych, ditën e enjten, kur Federer do të pushojë.