Ndryshimet klimatike, KNZhQ: Deklarimet të kthehen në detyrime
Deklarimet të kthehen në detyrime juridike për të gjitha vendet pjesëmarrëse, ndërsa marrëveshja që do të arrihet në Samitin e Parisit kushtuar ndryshimeve klimatike të jetë e zbatueshme, sepse vetëm në atë mënyrë do të ketë sukses...

Kështu vlerësuan pjesëmarrësit në mbledhjen e pestë të Këshillit Nacional për Zhvillim të Qëndrueshëm në prag të samitit, që do të mbahet në Paris, i cili do të trajtojë ndryshimet klimatike.
“Sinqerisht mendoj se konferenca në Paris do të ketë sukses dhe do të arrijmë që të kemi një marrëveshje të përbashkët, e cila do të jetë obliguese për të gjitha vendet. Një marrëveshje mund të jetë e suksesshme vetëm nëse të gjitha palët do të kenë sukses në zbatimin e tij”- deklaroi ambasadorja e Francës në RM, Lorenc Oer.
“Në Paris presim që të gjitha deklarimet e deritanishme të shndërrohen në masa konkrete. Si shtet u bashkangjitemi qëndrimeve të BE-së dhe angazhohemi për miratimin e një marrëveshjeje klimatike shkencore, hulumtuese dhe juridikisht e detyrueshme, e cila do të jetë e zbatueshme në të gjitha vendet”- theksoi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Maqedonia ka përgatitur programin e saj nacional lidhur me ndryshimet klimatike, me të cilin do të përfaqësohet në Samitin e Parisit, tha zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski, i cili kryeson me këshillin.
“Në përputhje me këtë dokument është parashikuar që të zvogëlohet koncentrimi i dioksidit të karbonit, që vjen nga djegia e derivateve fosile për 30% dhe në një skenar më agresiv të zvogëlohet në 36% deri në vitin 2030”- theksoi zëvendëskryeministri i RM-së, Vlladimir Peshevski.
Koordinatorja rezidente e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, Luiza Vinton, theksoi se edhe pse Maqedonia nuk bën pjesë në kontribuuesit e mëdhenj të koncentrimit të dioksidit të karbonit, megjithatë përballet me rrezik të lartë nga ndryshimet klimatike. Sipas saj, duhet të veprohet në mënyrë globale dhe të gjinden mënyra alternative për zvogëlimin e nivelit të dioksidit të karbonit. (Naim Ramadani, TVM2)
