Kuvend, vazhdon debati për buxhetin
Qëndrime pro dhe kundër kanë karakterizuar seancën e sotme kuvendore, në të cilën po debatohet për projekt-buxhetin e vitit 2016...

Opozita akuzon qeverinë se buxheti është joreal. PRSD kritikoi ministrin e Financave se 6 vite me radhë ka dështuar me numrat të cilët ai i kishte paraparë t’i arrijë.
“Në vitin 2009 jeni shprehur se rritja e bruto prodhimit vendor do të jetë 5.5 %, i cili në fund përfundoi me -0.9%. Në vitin 2011 keni paraparë rritje për 3.9%, ndërsa është realizuar rritje për 2.3%. Në 2013 jeni shumë afër me heqjen e një viti më parë. Pra, i nderuari ministër, në 3 segmentet, atë të të hyrave publike, investimeve kapitale dhe në pjesën e rritjes së bruto prodhimit vendor ju keni bërë dështime të mëdha”- deklaroi Goran Misovski nga PRSD.
Ministri Stavrevski theksoi se Maqedonia është e vetmja e cila gjatë periudhës së krizës botërore ka pasur rritje pozitive.
“Ekonomia e Maqedonisë është rritur për 8.5% gjatë periudhës 2009-2014, në kohë krizë, atëherë kur vendet tjera të rajonit, ato të cilat kishin rritje, rritja e tyre numëron nën 4%, që nënkupton dyfish më të vogël se i yni, ndërsa shumica kishin rritje negative. Borxhin e kemi mbajtur në shifra të matura, 43.9% është dyfish borxh më i ulët se ai i Serbisë, Kroacisë dhe vendeve tjera të rajonit”- tha ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Sipas propozimit, planifikohet ulje e deficitit buxhetor në 3,2 për qind dhe rritje e mjeteve për pensione, ndihmë sociale dhe investime kapitale, me qëllim që të nxitet komponenti zhvillimor i buxhetit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
