Shtohet për 32% buxheti për UShT-në, Ademi: Do të vazhdojmë edhe më tej investimet
Ministria e Arsimit ka rritur për 32% buxhetin e UShT-së për vitin e ardhshëm...

Këto mjete do të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve mësimore dhe në realizimin e projekteve që janë në të mirë të shoqërisë. UShT radhitet kështu në vendin e dytë pas universitetit të Shkupit me buxhet më të lartë prej institucioneve publike në vend.
“UShT do të ketë një buxhet më të lartë për vitin e ardhshëm, i cili, krahasuar me buxhetin e këtij viti, do të jetë rreth 32% më i lartë, kjo rritje i dedikohet edhe stafit akademik të ekipimit të këtij universiteti me staf akademik adekuat, por edhe me rritjen e investimeve kapitale në kuadër të UShT-së. UShT do të radhitet i dyti pas universitetit të Shkupit me buxhet më të lartë prej institucioneve publike në vend dhe kjo rritje, ashtu siç thashë, do të reflektojë në të gjithë sektorët e këtij universiteti”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Në UShT u përuruan sot edhe terrenet e reja sportive, një investim ky prej 35 milion denarësh.
“Ky investim kapital për krijimin e standardeve të reja infrastrukturore e bën më funksional aktivitetin dhe veprimtarinë mësimore shkencore të universitetit tonë dhe në këtë mënyrë do të nxisim shumë studentë, respektivisht talentët e rinj që të shprehin aftësitë e tyre si përkushtim të talentit dhe dashurisë së tyre për veprimtaritë sportive”- theksoi rektori i UShT-së, Vullnet Ameti.
Por, këto nuk janë investimet e vetme në UShT. Ministri Ademi paralajmëroi së shpejti ndërtimin e një konvikti studentor pranë UShT-së dhe hapjen e Fakulteti Pedagogjik dhe Bujqësor nga viti i ardhshëm në këtë universitet. (Visari Sadiki, TVM2)
