Botë

Fletëarrest për deputetët e opozitës, eskalon protesta para kryeministrisë

18.11.2015 17:33

Aksioni policor për arrestimin e katër deputetëve të opozitës në Kosovë ka ngritur sërish tensione në Prishtinë...

Arrestimi i deputetes së AAK-së, Donika Kadaj–Bujupi, dhe bastisja e shtëpive të deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, Faton Topallit dhe Albulena Haxhiut shkaktoi protesta  para qeverisë.
 
Situata eskaloi pas kërkesës së prokurorisë për 30 ditë paraburgim për deputeten, Donika Kada Bujupi, pas çka dhe protestuesit filluan të hedhin koktej-molotovi, ngjyrë dhe gurë në drejtim të policisë dhe institucioneve të Kosovës.
 
Njësia speciale intervenoi me  gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.
 
13 persona janë arrestuar deri tani dhe 4 policë mbetën të lënduar gjatë protestave të dhunshme.
 
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe një numër i madh i protestuesve.
 
“Ne sot jemi këtu të tregojmë se me çdo çmim edhe me çdo sakrificë tonën nuk ka normalitet të kësaj Qeverie derisa nuk tërhiqen nga marrëveshjet edhe derisa nuk i lirojnë deputetet, në këtë rast deputeten, Donika Kadaj-Bujupi”- deklaroi sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj.
 
Lëvizja Vetëvendosje thotë se “Policia po i përgjigjet urdhrave të kryeministrit, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi, të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi”.
 
Kryesia e AAK-së vlerëson se arrestimi i deputetes Bujupi është arrestim politik dhe si i tillë duhet të përfundojë menjëherë.
 
GYLTENE SINANI