Botë
Skandali me përgjimet, Komisioni Anketues pret shpalljen e vendimit në GZ
18.11.2015 17:49
Komisioni anketues për skandalin me përgjimet pret shpalljen e vendimit në gazetën zyrtare...

Komisioni anketues për skandalin me përgjimet pret shpalljen e vendimit në gazetën zyrtare, që të mund të thërrasë seancën e parë dhe të fillojë shqyrtimin e skandalit me përgjimet e paligjshme.
“Në momentin kur do të publikohet në gazetën zyrtare, kryetari i ynë i Komisionit, pasi është me propozim të opozitës, menjëherë do të caktojë seancë të Komisionit Anketues për të provuar skandalin me përgjimet”- deklaroi Goran Sugarevski nga LSDM.
Mirëpo, funksionimi i këtij Komisioni duket i vështirë, pasi palët u përplasën që në seancën kuvendore kur u zgjodh përbërja e këtij trupi.
Pavarësisht kompetencave të parapara me vendimin për formimin e Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet, palët e interpretojnë ndryshe detyrën e këtij Komisioni.
Sipas kryetarit të Komisionit nga LSDM, Petar Shilegov, Komisioni duhet të debatojë rreth përmbajtjes së materialeve të publikuara dhe të konstatojë përgjegjësi politike të aktorëve në bisedat e publikuara, ndërsa sipas anëtarit të Komisionit nga radhët e VMRO-së, Antonio Milloshovski, Komisioni nuk do të jetë organ hetues, por do të ketë rol dhe detyrë që të konstatojë se si ka ardhur deri te përgjimi.
Ndryshe, Komisioni do të udhëhiqet nga opozita maqedonase dhe do të përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe 14 anëtarë, prej të cilëve tre anëtarë janë deputetë shqiptarë.
SHPËTIM NUREDINI
