Maqedoni
Ndotja në nivele alarmante, mjekët: Është shkaktar i sëmundjeve në mushkëri
18.11.2015 18:06
Dita Botërore e Sëmundjeve të Mushkërive vjen me statistika shqetësuese. Në botë çdo vit nga sëmundjet e mushkërive vuajnë 64 milionë njerëz, 3 milionë vdesin...

Kjo statistikë i ka vënë sëmundjet e mushkërive në vendin e tretë për nga vdekjet në rang global menjëherë pas sulmit në tru dhe në zemër.
Pirja e duhanit deri tani besohej se është shkaktari kryesor i sëmundjes së mushkërive, por kohët e fundit nga sëmundje të tilla vuajnë edhe joduhanpirësit.
Shkaktar më i madh i këtyre sëmundjeve është ndotja e ajrit, thonë mjekët.
“Ndotja e ajrit është një problem global, por tek ne edhe Qyteti i Shkupit është një ndër qytetet e vendit që ballafaqohet me këtë problem. Dhe kjo është një ndër arsyet dhe një ndër fajtorët që ndikojnë në këtë sëmundje. Por, për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur duhen ndërmarrë masa në nivel global. Statistikat tregojnë se në vendet me ndotje të lartë të ajrit ka numër më të madh të personave me problem në sistemin respirator”- deklaroi drejtoresha në Institutin për Mushkëri dhe Tuberkulozë, Biljana Ilievska-Popovska.
Niveli i ndotjes në Maqedoni ndërkohë po shënon rritje të vazhdueshme. Sot vendin e parë nga ndotja e mbante Tetova, një ndër qytetet më të ndotura edhe në Evropë, ku substancat PM10 mbrëmë kanë arritur në 600 mikrogram në metër kub, pra 12 herë më shumë se normalja.
Pas Tetovës vjen Shkupi, ku ndotja është 6 herë mbi normalen. Derisa mjekët thonë se kjo ndotje padyshim ndikon në sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes e në një sërë sëmundjesh tjera, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të përdorin transportin publik e të ngrohen me dru ekologjikë që nuk ndotin ambientin.
REJHANE BUSHI-METAJ
