Maqedoni
UShT dhe UEJL, mirënjohje për studentët më të mirë
18.11.2015 18:26
Studentët e dalluar nga UShT dhe UEJL janë shpërblyer me mirënjohje për suksesin e arritur...

Mirënjohjet u ndanë nga ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, dhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, sipas të cilëve mirënjohjet për këta studentë janë njëkohësisht mirënjohje edhe për dy institucionet e larta të arsimit në gjuhën shqipe.
UShT dhe UEJL tashmë janë etabluar dhe dita ditës po dëshmojnë se janë institucione që japin kontribut në jetën shoqërore dhe shtetërore. Studentët e pranishëm u shprehën të kënaqur nga ky respekt që u bëhet.
“E falënderoj UShT-në, rektorin dhe stafin akademik të fakultetit juridik, po ashtu edhe ministrin e Arsimit që na dha këto mirënjohje për studentë më të dalluar”- theksoi një student.
“I falënderohemi ministrit, Abdylaqim Ademi, për mirënjohjet e ndara dhe që na dha mundësinë për të qenë studentë më të dalluar”- tha një studente.
MASh përkrah studentët e dalluar nëpërmjet bursave për studime në universitetet publike dhe private në vend, si dhe bursa për studime jashtë vendit.
Për momentin është i hapur konkursi për bursa të kategorive të ndryshme të studentëve që studiojnë në universitetet e vendit dhe ministri Ademi u apelon studentëve që të aplikojnë për marrjen e këtyre bursave.
BESIM ABDULLAI
