Botë

Gjermania, gjendje alarmi pas ngjarjeve në Hannover

18.11.2015 18:56

Gjermania është në gjendje alarmi pas frikës së një dite më parë për bombë në stadiumin e futbollit të Hannoverit...

Si ky i fundit, ashtu edhe stacioni qendror i trenave në qytet u evakuuan me urgjencë, por ndonëse lëndë plasëse nuk u gjetën, shqetësimi mbetet i madh e masat e sigurisë janë të larta.

Përfaqësueset e futbollit priteshin të luanin në stadium në kuadër të miqësores Gjermani-Holandë, që do të ndiqej mes tjerash edhe nga kancelarja, Angela Merkel, ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, e disa pjesëtarë të ekzekutivit holandez, kur u dha urdhri për evakuim të menjëhershëm të personelit.

Rrugët përreth u bllokuan të gjitha nga policia, ndërsa sportdashësve që prisnin jashtë iu ndalua hyrja në stadium.

Disa raporte në mediat vendase përmendën gjetjen e një autoambulance të mbushur me eksploziv, por një zbulim të tillë zyrtarët nuk e konfirmuan.

Pak pas këtij episodi, po në Hannover, do të evakuohej një stadium i dytë, “Tui Arena”, ku mbahej një koncert. Informacionin për mundësinë e një bombe në koncert e kishin marrë rreth mesditës së të martës nga një agjenci e huaj inteligjence.

Sipas të dhënave të “Bild-Zeitung”, autoritetet gjermane kanë pasur të dhëna se një grup rreth një afrikano-veriori të njohur mund të ketë qenë duke organizuar një atentat, sulm ky ku do të përdoreshin mjete shpërthyese, breza me eksploziv, armë automatike dhe ngarkesa me lëndë plasëse në rrugët që të çojnë për në aeroport.

Pas kësaj, shërbimi i fshehtë francez kishte tërhequr vëmendjen për një nga të ashtuquajturit “terroristë të fjetur” në Irak, i cili thuhet se kishte planifikuar një atentat ndaj ndeshjes miqësore.