Botë
Sulm në Bosnje, vret dy ushtarë, plagos 5 persona e vetëvritet
19.11.2015 13:46
Një ngjarje e rëndë është shënuar në kryeqytetin e Bosnjës. Një person i armatosur ka vrarë dy ushtarë dhe ka plagosur pesë persona...

Një ngjarje e rëndë është shënuar në kryeqytetin e Bosnjës. Një person i armatosur ka vrarë dy ushtarë dhe ka plagosur pesë persona të tjerë në periferi të Sarajevës, e më pas u vetëvra, kur policia rrethoi banesën në të cilën ishte fshehur.
Sulmi ka ndodhur në një dyqan bastesh, në rajonin Rajlovac, ndërsa në tentativë për t’u larguar autori ka qëlluar edhe në drejtim të një autobusi me pasagjerë.
Autori i sulmit është identifikuar si Enes Omeragiç, një mbështetës i Lëvizjes “Salafi”, një ideologji ultrakonservatore e Islamit, e cila shpesh promovon xhihadë të dhunshëm.
“Ne i kemi dërguar policët në vendngjarje dhe mjekët, por ata vetëm konstatuan vdekjen e dy personave. Një njeri i panjohur i vrau ata e më pas gjatë ikjes nga vendngjarja qëlloi edhe një autobus me njerëz dhe lëndoi shoferin e tij. U lënduan edhe dy pasagjerë nga xhamat e thyer”- deklaroi zëdhënësi i Policisë së Sarajevës, Irfan Nefiç.
"2 anëtarë të forcave të armatosura janë vrarë dhe një është lënduar. Është një ditë e tmerrshme për forcat e armatosura të Bosnjë-Hercegovinës”- tha zëvendësministri i Mbrojtjes në Bosnjë, Emir Suljagic.
Pas kësaj ngjarje, Qeveria e Bosnjës ka thirrur një seancë urgjente pasi nuk dihet nëse sulmi erdhi nga një person i vetëm apo është pjesë e ndonjë skeme të organizuar.
GAZMEND KURTISHI
