Botë
160 “militantë” rusë janë vrarë në Siri
19.11.2015 15:02
Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se 160 shtetas rusë, që kanë luftuar për militantët e Shtetit Islamik, janë vrarë në Siri...

Oleg Syromolotov, zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë, ka thënë po ashtu se nga 2,700 shtetas rusë që luftojnë në Siri, 73 janë kthyer dhe janë dënuar.
Ai ka thënë se “mbi 25,000 mercenarë të huaj” luftojnë nën flamurin e Shtetit Islamik, përfshirë shtetas të vendeve arabe, Evropës dhe ish-Bashkimt Sovjetik.
Rusia ka nisur sulme ajrore në Siri, në fund të muajit shtator, për të mbështetur forcat e presidentit Bashar al-Assad.
Më 17 nëntor, presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar se do të intensifikojë fushatën bombarduese në Siri.
Kjo, pasi Moska ka konfirmuar se avioni rus i pasagjerëve është rrëzuar muajin e kaluar në Egjipt, si pasojë e një bombe në bord.
Të 224 njerëzit në bordin e këtij fluturimi kanë humbur jetën.
Një degë e Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit./evropaelire
