Maqedoni
Nuk vendosen pengesa në kufi, ARM pastron terrenin, gardhi opsioni i fundit
19.11.2015 15:18
Mediat greke alarmuan se Maqedonia ka filluar vendosjen e rrethojave në kufi për të parandaluar fluksin e emigrantëve...

Por, nga ARM thonë se nuk bëhet fjalë për mbyllje të kufirit, por për barrikadën e vendosur atje që në fillim të krizës së emigrantëve.
ARM gjithsesi ka filluar aktivitetet për pastrimin e terrenit për vendosje eventuale të kufizimit të tillë, por një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse lind nevoja, në pajtim me vendimet e marra nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Ky i fundit, në mbledhjen e 14 nëntorit vendosi që ARM të fillojë menjëherë përgatitjet në terren për vendosje eventuale dhe të mundshme të rrethojës.
Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse situata eskalon dhe nuk ka si qëllim mbylljen e kufirit, por vetëm kanalizimin e kalimit të emigrantëve në pikat e kontrollit ku çdo refugjat do të evidentohej e regjistrohej në një sistem të veçantë.
Megjithatë, një hap i tillë, i cili tani për tani është vetëm një mundësi, do të ndërmerret si nevojë përfundimtare.
Pengesë do të vendoset vetëm nëse vendet drejt të cilave drejtohen emigrantët dukshëm e zvogëlojnë fluksin e pritjeve, duke bërë kështu që vendi ynë të përballej me një numër të pakontrolluar emigrantësh, për të cilët nuk ka kapacitet t’i trajtojë në mënyrë humane. Deri tani gjendja në kufi është e menaxhueshme.
Nga Gjevgjelia drejt Kumanovës në 24 orët e fundit kanë kaluar 4.366 emigrantë.
Ata lëshohen pa asnjë selektim përkatësie kombëtare në territorin e Maqedonisë, vetëm shikohet nëse i plotësojnë kushtet për t'iu dhënë vërtetim për të drejtën e azilit.
Deri tani vetëm Serbia bën në kufi selektim të refugjatëve, duke lejuar të hyjnë në territorin e saj vetëm ata që vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
SANIJE KASAMI
