Tenis
Nadal siguron gjysmëfinalen e Atp finals
19.11.2015 15:24
Ai këtij viti në Londër është një Rafael Nadal i tjetërsuar. Spanjolli mesa duket ka rigjetur formën më të mirë pasi fitoi...

Ai këtij viti në Londër është një Rafael Nadal i tjetërsuar. Spanjolli mesa duket ka rigjetur formën më të mirë pasi fitoi edhe sfidën e dytë në grupin B të Atp World Tour Finals.
Në 02 Arena, Nadal mposhti lehtësisht britanikun Andy Murray duke siguruar një biletë në gjysmëfinalet e turneut të 8 më të mirëve të Botës. Një ndeshje e shpejtë dhe pak spektakolare ajo mes tenistit nga Majorka dhe kundërshtarit të tij skocez.
2-0 me sete me shifrat 6-4 6-1 ishte rezultati i sfidës në favor të Nadal që për herë të parë që nga Roland Garros i vitit të kaluar mundi një rival që pozicionohet kaq lart në renditje, Andy Murray për momentin mban vendin e dytë në Botë pasi vetëm pak kohë më parë parakaloi në klasfikimin e Atp zviceranin Roger Federer.
2 suksese ndaj Wawrinkas dhe Murray vinë në momentin e duhur për Nadal, që me paraqitjen e tij në Atp World Tour Finals po mundohet të hedhë pas shpatullave zhgënjimet e shumta që ka përjetuar në vitin 2015, që është edhe më i dobëti për të në karrierë.
Ndërkohë mbajti gjallë shpresat e kualifikimit Stansislas Wawrinka që në ndeshjen e mbrëmjes mposhti në 2 sete spanjollin David Ferrer me këtë të fundit që tashmë nuk ka më asnjë shans për të avancuar më tej. Zvicerani vuajti disi në setin e parë të cilin e fitoi me rezultatin 7-5 ndërsa më të thjeshtë e pati në të dytin ku humbi vetëm 2 game.
Me Nadal të kualifikuar në ndeshjet e treta të grupit B vëmendja do të jetë e gjitha në sfidën mes Wawrinkas dhe Murray që do të vlejë një biletë në gjysmëfinalet e turneut londinez.
