Maqedoni

Anketa e IRI-t: Qytetarët ndjejnë pasiguri te institucionet

19.11.2015 17:13

Numri i qytetarëve që konsiderojnë se aktorët politik të vendit nuk do të jenë në gjendje ta zbatojnë Marrëveshjen politike të Përzhinës është më i lartë në raport me ata që mendojnë të kundërtën...

Këto rezultate i ka nxjerrë hulumtimi më i ri i Institutit Republikan Ndërkombëtarë-IRI.
 
Sipas kësaj ankete, 51% e të anketuarve konsiderojnë se situata politike në Maqedoni është e tensionuar, ndërsa 29% kanë konsideruar se situata politike është stabile. 
 
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes, 42% e të anketuarve kanë konsideruar se Maqedonia është më pak stabile se para një viti, që është zvogëluar 58% nga anketa e IRI-t e realizuar në qershor të vitit 2015. Ndërsa që është më stabile kanë konsideruar 18% e të anketuarve, që është rritur për 8% më shumë nga qershori i vitit 2006 deri sot kur përqindja ishte në nivelin më të ulët”- deklaroi Ilina Mangova nga IRI.
 
Për sa i përket zgjedhjeve, 52% e të anketuarve kanë konsideruar se institucionet nuk kanë kapacitet që të përballen me parregullsitë eventuale në ditën e zgjedhjeve, ndërsa 39% kanë konsideruar se institucionet kanë kapacitet, megjithatë akoma mbetet interesimi i lartë për të dalë në zgjedhje dhe kjo shifër arrin në 74%, sipas anketës. 
 
Ndërkohë, gjendja ekonomike dhe punësimi, sipas anketës, mbeten akoma shqetësim për qytetarët.
 
“41% kanë theksuar se papunësia është problemi më serioz me të cilin përballet Maqedonia, ndërsa si problem të dytë serioz kanë theksuar varfërinë dhe standardin e ulët jetësor me 17%”- tha Ilina Mangova nga IRI.
 
Sipas anketës, integrimi euroatlantik i vendit edhe më tej mbetet i fuqishëm. 
 
Ndërkohë, përveç zgjedhjeve, situatës politike, gjendjes ekonomike, anketa ka përfshirë hulumtimin e shumë fushave tjera me relevancë për qytetarët, duke përfshirë institucionet, mediat, sektorin civil etj. 
 
Anketën e ka realizuar Agjencia për Hulumtim “Brima” në bashkëpunim me Institutin Republikan Ndërkombëtarë-IRI, e mbështetur nga USAID, duke intervistuar 1106 qytetarë në periudhën prej 29 shtatorit deri më 5 tetor të vitit 2015.
 
NAIM RAMADANI